Bordi

PETRIT TAHIRI

Petrit Tahiri është President i Bordit Drejtues në Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dhe njëherit Drejtor Ekzekutiv në organizatën anëtare, Qendra për Arsim e Kosovës – KEC. Tahiri ka mbaruar studimet në Universitetin e Prishtinës, Departamenti i Shkencave Sociale, Dega e Sociologjisë. Tahiri ka përvojë pune mbi pesëmbëdhjetë vjeçare në fushën e arsimit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve. Ai ka përvojë specifike në zhvillimin e hulumtimeve dhe analizave në fushën e mbrojtjes së të drejtave te fëmijëve, gjendjen në sektorin e arsimit dhe zhvillimin e strategjive sektoriale. Tahiri ka punuar si ekspert i pavarur për shumë agjenci dhe organizata ndërkombëtare.

Florina duli

Florina Duli është Zëvendës Presidente e Bordit Drejtues në Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF dhe njëherit është Drejtore e Delegacionit të Fondacionit Terre Des Hommes Kosovo. Para kësaj, udhëhoqi me Iniciativën Kosovare për Stabilitet (IKS), ishte këshilltare për qeverisje pranë agjencisë qeveritare Britaneze për zhvillim ndërkombëtar (DFID), këshilltare politike e Zëvendës dhe pastaj Përfaqësuesit special të SP të OKB në Kosovë, etj. Florina i kontribuoi themelimit të Kuvendit të Kosovës, ku shërbeu pastaj si këshilltare politike e Kryetarit të tij. Për angazhimin e saj me Save the Children, para dhe gjatë luftës në Kosovë, u shpërblye me çmimin “Gallantry Award” nga Anne, Princesha e Mbretërisë së Bashkuar. Diplomoi për gjuhë dhe letërsi Angleze dhe mban certifikatë post-diplomike në Menaxhim politikash dhe qeverisje nga Universiteti i York-ut.

SEBAHATE HAJDINI BEQIRI

Sebahate Hajdini Beqiri është anëtare e Bordit Drejtues në Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe njëherit Drejtoreshë Ekzekutive dhe bashkëthemeluese e organizatës anëtare Down Syndrome Kosova. Sebahatja është juriste me profesion dhe ka një përvojë pune mbi 15 vjeçare në fushën e aftësisë së kufizuar. Ajo është anëtare në komisionin për monitorim të strategjisë nacionale për të drejtat e PAK-2013- 2023, anëtare e grupit punues për themelimin Forumit të Personave me Aftësi të Kufizuar në Kosovë dhe e Këshillit Drejtues si dhe anëtare në Këshillin Nacional për Personat me Aftësi te Kufizuar. Hajdini Beqiri ka kontribuar jashtëzakonisht shumë në integrimin, mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të personave me sindromën Down.

VLORIAN MOLLIQAJ

Vlorian Molliqaj është anëtar i Bordit Drejtues në Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe njëherit Drejtor Ekzekutiv në organizatën anëtare Aksioni për Nëna dhe Fëmijë. Vloriani ka përfunduar studimet Master në Shendetësi Publike dhe Ekonomi Shëndetësore pranë Universitetit të Goteburgut në Suedi. Para se të bashkohet në AMC, ai punoi rreth tri vite me sigurime dhe beneficione shëndetësore në Agjencinë Suedeze të Sigurimeve Shoqërore (Försäkringskassan) në Goteburg dhe më shumë se një vit në Bordin Kombëtar Suedez për Kujdesje Institucionale (Statens institutionsstyrelse). Vloriani përpiqet që të implementojë projekte dhe programe që përmirësojnë sistemin shëndetësor në Kosovë, posaçërisht të tilla që shpëtojnë jetë dhe e përmirësojnë shëndetin e nënave dhe fëmijëve.

REXHEP GOJNOVCI

Rexhep Gojnovci është anëtar i Bordit Drejtues në Koalicionin e OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe njëherit është Drejtor Ekzekutiv në organizatën anëtare “AKTI”.

Rexhepi ka një përvojë pune 20 vjeçare në fushën e mbrojtës të të drejtave të fëmijëve dhe punës me të rinj, në zhvillimin dhe avancimin e politikave rinore, me theks të veçantë në nivelin lokal.  Ai ka të përfunduar Fakultetin Juridik në nivelin Bachelor si dhe Administratë Publike në nivelin Master. Rexhepi angazhohet edhe si konsulent i jashtëm për fushën e të drejtave të fëmijëve dhe punës me të rinjtë në organizata tjera vendore dhe ndërkombëtare.