The services for children are closing! An alarm for action for the Municipalities, the Government, and the Assembly!

The services for children are closing! An alarm for action for the Municipalities, the Government, and the Assembly!

KOMF, bashkë me prindërit e fëmijëve përfitues të shërbimeve dhe ofruesit e shërbimeve sociale për fëmijët mbajtën aktivitetin vetëdijesues, ku u përçua mesazhi: “Shërbimet për fëmijët po mbyllen! Dhe ky është Alarm për veprim për Komunat, Qeverinë dhe Kuvendin”.
Ofruesit e shërbimeve sociale në 2024, janë në gjendjen më të rëndë të financimit. Kjo sepse në Dhjetor 2023, për pjesën dërrmuese, kanë përfunduar programet dhe projektet e donatorëve ndërkombëtarë në mbështetje të shërbimeve sociale, duke krijuar zbrazëtira të mëdha në financimin e shërbimeve. Për shkak të mungesës se financimit të qëndrueshëm nga institucionet publike, disa shërbime për fëmijët janë mbyllur, disa janë reduktuar e disa të tjerë kanë reduktuar numrin e fëmijëve përfitues. Nëse kjo situatë vazhdon, në muajt në vijim do të mbyllen dhe shërbime të tjera, duke çuar në një kolaps në mbrojtje të fëmijëve dhe në një situatë të pa precedent në Kosovë.
Në kuadër të aktivitetit, u përçua mesazhi për rrezikun e mbylljes së shërbimeve sociale jetike për fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët viktima të dhunës, abuzimit, trafikimit, fëmijët me aftësi të kufizuara, fëmijët në situatë rruge, fëmijët e përfshirë në punë të rënda, fëmijët përdorues të substancave narkotike dhe gjithë fëmijët e tjerë të cenueshëm që kanë nevojë për mbrojtje dhe shërbime. Shërbime këto të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Kjo thirrje është së pari për komunat të cilat kanë përgjegjësinë e plotë në sigurimin, menaxhimin dhe financimin e shërbimeve sociale për fëmijët dhe qytetarët e komunës, që nga decentralizimi i shërbimeve sociale në vitin 2009. Sot në 2024, pas 15 viteve që shërbimet sociale kanë kaluar nën përgjegjësinë e komunave, ato nuk kanë vullnetin dhe gadishmërinë të sigurojnë dhe financojnë shërbimet sociale për fëmijët. Nisur nga kjo gjendje, KOMF kërkon nga komunat të ndërmarrin masa urgjente, të përmbushin përgjegjësitë ligjore, të sigurojnë financimin, funksionalizimin e shërbimeve dhe parandalimin e mbylljes së tyre në komuna. Duke qenë se Granti për komunat në 2024 ka pasur rritje, kërkojmë që kjo rritje të reflektohet në mbështetjen për shërbimet sociale për fëmijët dhe familjet e cenueshme. KOMF kërkon nga komunat, që të bëjnë zgjidhje afatgjatë përmes krijimit të një skeme të qëndrueshme të financimit përmes blerjes së shërbimeve sociale.
Kjo është thirrje për Qeverinë, për të intervenuar në këtë situatë të rëndë. Mbështetja financiare e ofruar nga Ministria e Drejtësisë për organizatat e licensuara për ofrimin e shërbimeve sociale, sado që ka zbutur situatën, nuk ka arritur të funksionalizojë ofrimin e shërbimeve sociale. Në këto rrethana, pavarësisht vullnetit të ofruesve të shërbimeve sociale, është e pamundur të vazhdohet me ofrimin e shërbimeve me kapacitet të plotë për fëmijët dhe familjet e tyre. Nisur nga kjo situatë KOMF kërkon krijimin e Masës së përkohshme për funksionalizimin e shërbimeve sociale në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike, si një masë tranzitore deri në rregullimin e financimit të qëndrueshëm për shërbime sociale. Si zgjidhje afatgjatë, KOMF kërkon nga Qeveria krijimin e Grantit të Veçantë për Shërbime Sociale dhe krijimin e formulës së financimit.
Kjo është thirrje për Kuvendin – Kërkojmë mbështetje nga deputetët që në procesin e rishikimit të Ligjit për Buxhet për vitin në Qershor 2024, të ngrenë zërin që të ndahet buxhet për shërbime sociale për të tejkaluar këtë situatë emergjente.
Kjo është një thirrje për veprim nga përfituesit dhe ofruesit e shërbimeve sociale për të rritur buxhetin për shërbime sociale, për të siguruar të drejtat themelore të fëmijëve të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ky aktivitet vetëdijesues u mbështetet nga projekti rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në bashkëpunim me Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM), dhe Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).