Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF me mbështetjen e UNICEF dhe Bashkimit Europian në Kosovë, publikoi Studimin për vlerësimin e sistemit të drejtësisë për fëmijët në konflikt me ligjin, me fokus në zbatimin e masave të diversitetit.
Të pranishme në panelin e konferencës, ishin Ministrja e Drejtësisë në detyrë znj Albulena Haxhiu, Prokurorja në zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit znj. Laura Pula si dhe z. Dren Rexha nga zyra e UNICEF në Kosovë.
Bazuar në vlerësimin e realizuar, mund të konstatohet se legjislacioni i sistemit të drejtësisë për të mitur në Kosovë, në masë të konsiderueshme, është i harmonizuar me kërkesat dhe standardet ndërkombëtare, duke ofruar një bazë të qëndrueshme për zbatimin praktik të parimit të “interesit më të mirë të fëmijës” përmes masave të diversitetit.
Megjithatë, pavarësisht përparimeve në ndërtimin e këtij sistemi, vlerësimi ka identifikuar se zbatimi praktik i këtyre masave mbetet i kufizuar dhe nuk përputhet plotësisht me synimet e ligjvënësit dhe standardet ndërkombëtare. Të gjeturat e vlerësimit nxjerrin në pah një tendencë shqetësuese të rënies së vazhdueshme në përdorimin e masave të diversitetit, gjë që bie ndesh me frymën dhe objektivat e Kodit të Drejtësisë për të Mitur. Shqetësuese mbetet poashtu rritja e vazhdueshme e numrit të të miturve në konflikt me ligjin dhe përfshirja e të miturve në vepra të rënda penale.
Mungesa e qartësisë në interpretimin e dispozitave ligjore, dhe moszbatimi i masave të reja të përfshira në Kod dëshmojnë për një zbatim të fragmentuar dhe jo të qëndrueshëm të këtyre masave.
Adresimi i këtyre sfidave është thelbësor për të garantuar që dispozitat përkatëse të Kodit të Drejtësisë për të Mitur që lidhen me masat e diversitetit, të zbatohen në mënyrë efektive.
Recent Comments