Hyrja në fuqi e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës në vitin 2020, ka krijuar një momentum të ri juridik në kuptim të mbrojtjes së fëmijëve në Republikën e Kosovës. Ky momentum dhe obligim ligjor kërkon nga institucionet që të ndërmarrin veprime konkrete për të bërë funksional dhe zbatuar dispozitat e këtij ligji që në përmbajtje është i pari i këtij lloji në Republikën e Kosovës.
Për të realizuar dhe zbatuar me efikasitet dispozitat e Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës, respektivisht mbrojtjen e të drejtave të fëmijës, duhet një vetëdijesim, mobilizim dhe ngritje e kapaciteteve rreth rolit dhe përgjegjësive, duke filluar nga familja, institucionet për mbrojtjen e fëmijës dhe komuniteti.
Koalicioni i OJQ – ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, përgjatë muajve Shtator – Dhjetor 2022, në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, dheme mbështetje nga UNICEF-i në Kosovë, me qëllim të sensibilizimit të institucioneve, ka mbajtur një seri të punëtorive në komunat e Republikës së Kosovës me mbi 400 profesionistë që punojnë në mbrojtjen e fëmijëve.
Në këto punëtori, kanë marrë pjesë përfaqësues nga kabinetet e kryetarëve të komunave, drejtoritë përkatëse komunale për arsim, shëndetësi dhe mirëqenie sociale, shkolla dhe institucione parashkollore, Qendrat për Punë Sociale, Policia e Kosovës, gjykatat, prokuroritë, Institucioni i Avokatit të Popullit, Zyra e Kryeministrit të Kosovës, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, përfaqësues të OJQ-ve dhe organizatave ndërkombëtare, etj.
Bazuar në të gjeturat nga diskutimet dhe shkëmbimet gjatë punëtorive, KOMF konstaton:
• Përkundër faktit që Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka hyrë në fuqi më 19 Korrik 2020, ky Ligj nuk është duke u zbatuar. Pjesa dërrmuese e profesionistëve për mbrojtjen e fëmijëve, nuk kanë pasur njohuri për përgjegjësitë që dalin nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës dhe as për risitë që ka sjellë ky Ligj.
• Nga 17 Udhëzimet Administrative të parapara në kuadër të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, vetëm 6 nga to janë miratuar.
• Mekanizmi kryesor institucional i paraparë në Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës në nivel komunal, Ekipi për të Drejtat e Fëmijës ende nuk është themeluar në të gjitha komunat, përkatësisht ky Ekip është themeluar në 11 Komuna të Kosovës.
• Shërbimet dhe programet e reja të parapara në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, ende nuk janë themeluar. Këto përfshijnë shërbimet dhe programet për trajtimin e fëmijëve përdorues të narkotikëve, mbrojtjen e fëmijëve në konflikt me ligjin pa përgjegjësi penale, mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda, situatë rruge, programet për fuqizim të prindërve për mirë-rritjen e fëmijëve, linja telefonike falas për fëmijë dhe shtëpitë për mbrojtjen e fëmijës.
• Ka mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe financiare për zbatim të dispozitave të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, si pasojë e mos-prioritizimit dhe mos-ndarjes së buxhetit të nevojshëm për mbrojtje të fëmijës.
• Deri më tani, nuk ka pasur asnjë proces të monitorimit apo inspektimit nga asnjë institucion (Kuvendi, Qeveria, Komuna) lidhur me nivelin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve, kërkon:
• Ndarjen e Ligjit dhe akteve nënligjore të miratuara me të gjtihë profesionistët.
• Miratimin e 11 Udhëzimeve Administrative të mbetura, që burojnë nga Ligji për Mbrojtje të Fëmijës.
• Akreditimin e programeve për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe përfshirjen e trajnimeve për zbatimin e LMF, në kalendarin e trajnimeve si obligim për profesionistët në baza vjetore.
• Themelimin dhe funksionalizmin e mekanizmave në nivel qendror dhe nivel komunal, sikurse Këshillin për Mbrojtjen e Fëmijës në nivel qendror dhe Ekipin për të Drejtat e Fëmijës, në nivel komunal.
• Zhvillimin e programeve dhe themelimin e shërbimeve të reja të parapara në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, nga Ministritë përkatëse dhe komunat, varësisht kompetencave, sikurse shërbimet për trajtimin e fëmijëve përdorues të narkotikëve, mbrojtjen e fëmijëve në konflikt me ligjin pa përgjegjësi penale, mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda, situatë rruge, programet për fuqizim të prindërve për mirë-rritjen e fëmijëve, themelimin e linjës telefonike falas për fëmijë dhe shtëpive për mbrojtjen e fëmijës.
• Organizimin e fushatave vetëdijesuese për prindër, fëmijë dhe qytetarë për obligimet dhe përgjegjësitë për mbrojtjen e fëmijës.
• Planifikimin buxhetor adekuat në nivel qendror dhe komunal për ngritjen e kapaciteteve njerëzore dhe financiare për zbatim efikas të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
• Inspektimin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës në komuna, nga autoritet përkatëse për inspektim të nivelit qendror në fushën e shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe arsimit.
• Monitorimin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës nga Komisionet Parlamentare përkatëse për shëndetësi, mirëqenie sociale dhe arsim.
Duke konsideruar situatën aktuale të fëmijëve, mungesën e shërbimeve adekuate dhe nevojën e menjëhershme për ndërhyrje për garantim të mbrojtjes së tyre, KOMF bën thirrje ndaj institucioneve për të ndërmarrë në mënyrë të menjëhershme të gjithë hapat e nevojshëm për zbatim rigoroz dhe tërësor të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
No Comments