Kosova vazhdon të ketë shkallë të lartë të fëmijëve që jetojnë në varfëri dhe nivele të larta të përjashtimit social të fëmijëve. Për tre vitet e fundit nuk ka të dhëna zyrtare për varfërinë e fëmijëve. Ndërsa sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të vitit 2019, në Kosovë, 22.7% e fëmijëve jetojnë në varfëri, ndërsa 7% jetojnë në varfëri ekstreme. Këto të dhëna shqetësuese shpërfaqin sfidat e një pjese të madhe të fëmijëve në Kosovë, të cilët përjetojnë kequshqyerjen, mungesën e veshmbathjeve të nevojshme dhe kushtet e dobëta të jetesës, të cilat pengojnë mirëqenien dhe zhvillimin e fëmijëve. Pabarazitë më të mëdha vazhdojnë të ndodhin tek fëmijët më të varfër, fëmijët nga komunitetet e margjinalizuara, si komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian dhe fëmijët me aftësi të kufizuara.
Programi kryesor për mbështetjen e familjeve në varfëri është Skema e Asistencës Sociale. Gjatë vitit 2022, 22,980 familje ishin përfitues të ndihmës sociale, ndërsa numri i anëtarëve të familjes ishte 90,806. Prej tyre, rreth 45,000 fëmijë apo 50% e tyre ishin fëmijë që përfituan edhe një shtesë prej 10 euro si pjesë e ekonomisë familjare. Shuma e asistencës sociale është nga 70 deri në 250 Euro në shumë kjo e vogël për të përballuar kushtet elementare të jetesës për një familje, sidomos me inflacionin e ndodhur në tre vitet e fundit.
Skema e asistencës sociale nuk është mirë e adaptuar dhe nuk përfshin të gjithë fëmijët dhe familjet që jetojnë në varfëri. Edhe zyrtarët nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve kanë deklaruar se një numër i familjeve dhe fëmijëve që kanë gjendje të rëndë ekonomike, nuk janë pjesë e përftimeve nga skema e asistencës sociale. Kjo për shkak të kritereve të Ligjit për Asistencë Sociale, sikurse kriteri ku përcaktohet se familja duhet të ketë të paktën një fëmijë nën moshën 5 vjeç për të përfituar nga skema e asistencës sociale, konfirmimi dhe vlerësimi që anëtarët e ekonomisë familjare ti nënshtrohen vlerësimeve të komisioneve mjekësore për aftësinë e mbetur për punë, mungesa e identifikimit të të hyrave dhe të ardhurave të sakta për të matur nivelin e mirëqenies së ekonomisë familjare, etj.Kriteri (i) në Kategorinë e II, Neni 4, ku përcaktohet që familja duhet të ketë të paktën një fëmijë nën moshën 5 vjeç, është diskriminues për fëmijët dhe absolutisht i papranueshëm nga të gjithë akterët e përfshirë në skemë por edhe nga vetë përfituesit.
Këto mangësi pritet të adresohen me Ligjin e ri të Skemës së Asistencës Sociale, ku pritet të eleminohen kriteret diskriminuese dhe të krijohen mundësitë që ekonomitë familjare me të ardhura të ulëta nën nivelin e përcaktuar të mund të përfitojnë nga mbështetja e skemës së asistencës sociale. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka nisur procesin e hatimit të Projektligjit të ri të Skemës së Asistencës Sociale, megjithatë, ky projektligj nuk është miratuar. Për pasojë, ligji në fuqi vazhdon të përmbajë kritere diskriminuese për fëmijët, duke shkelur kështu të drejtat themelore të tyre.
Në përgjithësi, sistemi aktual i mbrojtjes sociale në Kosovë, ndonëse ofron një ndihmë financiare, nuk arrin të adresojë nevojat e ndryshme të familjeve dhe fëmijëve të cenueshëm. Investimet nuk kanë qenë të mjaftueshme për të bërë një ndryshim në popullatën e përgjithshme, në zvogëlimin e varfërisë dhe në zvogëlimin e pabarazive mes fëmijëve.
Problematikë tjetër është se skema e asistencës sociale e administruar nga Qendrat për Punë Sociale funksionon e ndarë, pothuajse tërësisht e izoluar nga shërbimet sociale. Vlerësohet që një pjesë e konsiderueshme e familjeve që jetojnë në varfëri, kanë nevojë për shërbime sociale dhe familjare. Prandaj, është më se e domosdoshme integrimi i skemës së asistencës sociale dhe shërbimeve sociale të ofruara në kuadër të Qendrave për Punë Sociale si dhe ndërlidhja e tyre me zyrat për punësim.
Zgjerimi i programeve për zvogëlimin e varfërisë dhe fuqizimin e familjes, si dhe sigurimi i qasjes së barabartë në shërbime janë hapa të domosdoshëm për përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve dhe familjeve të cenueshme në Kosovë.
Hapat që duhet ndërrmarrë:
· Miratimi i Ligjit të ri për Asistencë Sociale, largimi i kritereve diskriminuese për fëmijët. Rritja e shumës mujore të asistencës sociale për të përballuar inflacionin e ndodhur në vitet e fundit;
· Integrimi apo ndërlidhja e shërbimit të asistencës sociale me shërbimet sociale dhe familjare dhe zyrat për punësim me qëllim uljen e varfërisë, rritjen e mirëqenies së familjes dhe rritjen e punësimit;
· Zhvillimi dhe zbatimi i shërbimeve dhe programeve për mbështetjen e familjeve, duke synuar ofrimin e shërbimeve me familjen në qendër dhe ofrimin e shërbimeve të integruara;
· Zhvillimi dhe zbatimi i një strategjie për fuqizimin e familjes për të ndihmuar familjet të adresojnë sfidat ekonomike dhe sociale dhe të përmirësojnë mirëqenien e tyre të përgjithshme. Shërbimet sociale, fuqizimi ekonomik dhe programet për prindërim të mirë duhet të jenë të disponueshme për të gjitha familjet që jetojnë në varfëri dhe identifikohen në nevojë.
Recent Comments