Shërbime sociale të paqëndrueshme

Shërbime sociale të paqëndrueshme

Shërbimet sociale ofrohen nga 38 Qendra për Punë Sociale, ofruesit e tjerë publik si dhe rreth 50 organizata joqeveritare të licensuara për ofrimin e shërbimeve sociale. Në territorin e Kosovës janë 38 QPS me rreth 404 zyrtarë, ku prej tyre 164 janë zyrtarë të shërbimeve sociale. Qendrat për Punë Sociale ishin të mbingarkuara me emergjente, duke lënë mënjanë shërbimet parandaluese. Kjo ishte si pasojë jo vetëm e numrit të pamjaftueshëm të zyrtarëve në Qendra për Punë Sociale, por edhe për shkak të mos përcaktimit të formulës për numrin e zyrtarëve të shërbimeve sociale në raport me numrin e popullsisë apo numrin e rasteve. Në total janë vetëm 164 zyrtarë të shërbimeve sociale. Ngarkesë më e lartë e rasteve në raport me zyrtarin e shërbimeve sociale regjistrohet sidomos në komunat më të mëdha si për shembull Qendra për Punë Sociale Ferizaj, e cila ka paraqitur që një zyrtar ka 270 lëndë në vit dhe Qendra për Punë Sociale Prishtinë, e cila ka paraqitur që një zyrtar ka 318 raste në vit. Mbi gjysma e Qendrave për Punë Sociale kanë qasje të vështirësuar ose të pamundshme për fëmijët me aftësi të kufizuara. Në Qendra për Punë Sociale ekziston një prezencë e pabalancuar e profesioneve, kryesisht dominon profili i juristit. Vetëm 12 punëtorë socialë janë të punësuar në Qendra për Punë Sociale.

50 organizata joqeveritare të licensuara kanë ofruar shërbime të specializuara për kategori të veçanta të fëmijëve. Konkretisht, 10 strehimore kanë ofruar shërbime rezidenciale 24 orë për fëmijët viktima të dhunës në familje, abuzimit, neglizhimit dhe trafikimit.  Rreth 30 qendra ditore për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara kanë ofruar shërbime sociale në baza ditore për intervenimin e hershëm te fëmijët me aftësi të kufizuara, shërbime psiko sociale, rehabilituese dhe këshilluese dhe shërbime për fuqizimin e prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Shërbimet tjera përfshinë, shërbimet për fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët në situatë rruge, fëmijët përdorues të substancave narkotike, etj.

Sfidë kryesore e ofruesve të shërbimeve sociale mbetet financimi i paqëndrueshëm për ofrimin e shërbimeve sociale nga Ministria dhe komunat. Projektligji për Financat e Pushtetit Lokal i finalizuar që disa vite, i cili pritet të krijojë Grantin e Veçantë për Shërbime Sociale dhe rregullimin e financimit të qëndrueshëm për shërbime sociale, nuk është miratuar. Komunat dhe Ministria nuk kanë krijuar një skemë të qëndrueshme të kontraktimit për blerjen e shërbimeve sociale nga sektori joqeveritar, mbështetja ndaj organizatave joqeveritare është ofruar në baza ad hoc dhe përmes subvencionimit.

Shuma e ndarë për projektet e organizatave joqeveritare konsiderohet e pamjaftueshme dhe mbulon një pjesë të vogël të kostos së përgjithshme të shërbimeve. Buxheti është ndarë proporcionalisht në shuma të barabarta në mes të ofruesve të shërbimeve pa marrë parasysh nevojat e përfituesve. Kjo mënyrë e financimit po rrezikon me mbylljen e shërbimeve të ofruara nga sektori joqeveritar. Po ashtu skema e qëndrueshme e kontraktimit dhe financimi i bazuar në nevoja nuk mund të bëhet pa pasur kostim të shërbimeve sociale dhe formulë financimi. Procesi i kostimit dhe hartimit të formulës së financimit edhe pse i nisur pesë vite më parë, nuk arriti të finalizohet. Po ashtu, nuk ka pasur një hartëzim të shërbimeve dhe nevojave të popullatës për shërbime që do të informonte edhe politikëbërjen komunale dhe qendrore në planifikimin e programeve dhe shërbimeve konform nevojave.

Llogaridhënia në fushën e shërbimeve sociale vazhdon të mos jetë e rregulluar. Njësia për Monitorim dhe Inspektim në kuadër të Ministrisë ende nuk ka kompetenca ekzekutive. Po ashtu, sfidë përbën numri i vogël i stafit për inspektimin e shërbimeve sociale, ku aktualisht janë të angazhuar vetëm dy zyrtarë për inspektim. Gjatë 2022, prej rreth 120 ofruesve të shërbimeve sociale publik dhe joqeveritar gjithsej janë realizuar vetëm 8 inspektime. Proceset e strukturuara të menaxhimit të të dhënave nuk janë në tërësi funksionale. Mangësi tjetër është që qasje në këtë bazë të të dhënave kanë vetëm Qendrat për Punë Sociale, nuk përfshihen edhe të dhënat për përfituesit nga ofruesit jo qeveritarë dhe privatë.

Arritje e rëndësishme ishte miratimi i Ligit të ri për Shërbime Sociale dhe Familjare i nisur prej pesë vitesh, i cili zhvillon reformën e shërbimeve sociale.

Poashtu, Ministria për herë të parë ka filluar hartimin e programeve të trajnimeve të nevojshme për shërbime sociale, të cilat i nënshtrohet procesit të akreditimit. Kjo nismë vlerësohet si hap pozitiv për ngritjen e kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve sociale.

Rekomandime:

  • Hartëzimi i shërbimeve ekzistuese sociale dhe nevojave në secilën komunë, për të identifikuar shërbimet që mungojnë dhe për të planifikuar zhvillimin e tyre.
  • Përcaktimi i formulës së punësimit të zyrtarëve të shërbimeve sociale nga Ministria konform nevojave të popullatës dhe krijimi i standardeve për përcaktimin e ngarkesës së stafit dhe numrit mesatar të rasteve.
  • Rritja e numrit të zyrtarëve me profil të “punëtorit social” dhe “psikologut” në të gjitha Qendrat për Punë Sociale.
  • Sigurimi i hapësirave të mjaftueshme dhe të përshtatshme të punës në Qendra për Punë Sociale. Sigurimi i qasjes për fëmijët me aftësi të kufizuara në objektet e Qendrave për Punë Sociale sipas standardeve të përcaktuara në U.A., 33/2007.
  • Krijimi i një skeme të qëndrueshme nga Ministria dhe komunat për kontraktimin e shërbimeve sociale dhe familjare nga sektori jo qeveritar, rritja e pragut të financimit për shërbime sociale, eliminimi i zbrazësive kohore në mes të thirrjeve.
  • Miratimi i Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal për krijimin e grantit të veçantë për shërbimet sociale dhe familjare. Nxjerrja e Formulës së financimit për njësi për secilin përfitues për shërbime sociale.
  • Plotësim ndryshimi i Ligjit për Prokurimin Publik për krijimin e një mekanizmi të veçantë dhe më të thjeshtë të blerjes së shërbimeve sociale.
  • Rishikimi i bazës së të dhënave të Qendrave për Punë Sociale dhe gjetja e modaliteteve për menaxhimin e të dhënave me qëllim të informimit në kohë reale, duke përfshirë edhe të dhënat për përfituesit nga ofruesit joqeveritar dhe privat.