Fëmijët me aftësi të kufizuara në Kosovë, përballen me sfida të shumta për përfshirjen në arsim, marrjen e shërbimeve cilësore shëndetësore, dhe sociale, qasjen në institucione dhe komunitet, etj.
Në Kosovë është e përcaktuar e drejta për ndihmë materiale për fëmijët me aftësi të kufizuara si element i mbrojtjes për fëmijët me aftësi të kufizuara. Megjithatë, Ligji për Përkrahje Materiale Familjeve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara të Përhershme nuk garanton mbrojtje gjithëpërfshirëse për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara, por njeh të drejtën për kompensim material vetëm për fëmijët me aftësi të kufizuara të përhershme fizike, mendore dhe shqisore, të cilët janë plotësisht të paaftë të kryejnë aktivitetet e përditshme jetësore pa kujdesin e personit tjetër. Ky ligj ofron mbështetje për vetëm rreth 3,000 fëmijë me aftësi të kufizuara, duke përjashtuar pjesën dërrmuese të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Prandaj, si i tillë ai bën diskriminim dhe nuk mbulon të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara. Për më tepër, mbështetja financiare prej 100 euro që i ofrohet fëmijëve dhe familjeve të tyre është e pamjaftueshme për nevojat e fëmijëve me aftësi të kufizuara.
Kujdesi dhe edukimi në fëmijërinë e hershme janë kritik tek fëmijët me aftësi të kufizuara. Shërbimet për identifikim dhe ndërhyrje të hershme mungojnë në masë të madhe. Edhe pse me akte ligjore është përcaktuar që çdo komunë të ketë ekipet komunale për vlerësimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, shpesh fëmijët identifikohen vetëm kur arrijnë moshën shkollore dhe përpiqen të regjistrohen në shkollë, e që ndërhyrja është tashmë shumë vonë për të pasur një ndikim. Në vitin 2021/2022, 45 fëmijë me aftësi të kufizuara të moshës (1-6 vjeç) janë përfshirë në qendra burimore/shkolla speciale. 511 fëmijë me aftësi të kufizuara të moshës (1-6 vjeç) në total janë përfshirë në klasat e rregullta. Megjithatë nga të dhënat zyrtare potencohet se të dhënat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe saktësia e këtyre të dhënave është komplekse për faktin që akoma nuk janë vlerësuar të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara. Kjo për shkak se në shumicën e komunave janë krijuar vetëm formalisht por nuk funksionojnë komisionet vlerësuese për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Në Kosovë janë bërë hapa në avancimin e politikave dhe legjislacionit duke tentuar përfshirjen e konceptit të gjithëpërfshirjes si pjesë integrale në të gjitha politikat. Megjithatë sa i përket zbatimit të politikave dhe zhvillimit të mekanizmave që sigurojnë gjithëpërfshirjen, ende ka shumë punë për të bërë. Vetëm 3,965 fëmijë me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në klasat e rregullta. Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla nuk është kuptimplotë dhe e bazuar në nevojat individuale të fëmijëve. Integrimin e fëmijëve e vështirëson edhe më shumë mungesa e stafit profesional dhe mbështetës sikurse asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara psikologë, pedagogë në shkolla. Veprim për tu vlerësuar, ishte punësimi i 100 asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara, të cilët do të mbështesin një numër të fëmijëve me aftësi të kufizuara, megjithatë ky numër nuk plotëson nevojat e të gjithë fëmijëve.
Gjithashtu, arsimi gjithëpërfshirës është i mundur kur prindërit e fëmijëve me aftësi të kufizuara kanë informacionin dhe mbështetjen e duhur. Mbështetja për prindërit dhe shtrirja e shërbimeve drejt tyre është e ulët, e fragmentuar dhe kryesisht e kufizuar në iniciativat e shoqërisë civile. Pa shërbime në nivel lokal, shumë familje ndihen të paafta në mbështetjen e zhvillimit psikosocial të fëmijëve të tyre, rehabilitimin në shtëpi dhe përfshirjen e tyre në shkollë dhe në komunitet.
Sa i përket qasjes për fëmijët me aftësi të kufizuara, nga gjithsej 1094 institucione shkollore, vetëm 609 shkolla kanë qasje për fëmijët me aftësi të kufizuara. Mbi gjysma e Qendrave për Punë Sociale kanë qasje të vështirësuar ose të pamundshme për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Shumica e shërbimeve për fëmijët me aftësi të kufizuara ofrohen nga sektori joqeveritar përmes qendrave ditore, të cilët sfidë kryesore e kanë qëndrueshmërinë financiare të shërbimeve. Rreth 30 qendra ditore për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara ofrojnë shërbime sociale në baza ditore për intervenimin e hershëm te fëmijët me aftësi të kufizuara, shërbime psiko sociale, rehabilituese dhe këshilluese dhe shërbime për fuqizimin e prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Këto shërbime kanë mbetur kryesisht nën mbështetjen e agjencive dhe donatorëve të huaj, mbështetja shtetërore mbetet shumë e kufizuar. Natyra e paqëndrueshme e këtyre shërbimeve minimizon përfshirjen e plotë të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe kufizon një plan afatgjatë rehabilitimi të nevojshëm që ndihmon fëmijët me aftësi të kufizuara të përmbushin potencialin e tyre.
Hapat që duhet ndërmarrë:
Recent Comments