KOMF takohet me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

KOMF takohet me Komisionin Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

Në prag të Ditës Ndërkombëtare te Familjes, KOMF u prit sot nga Kryetarja Fatmire Mulhaxha Kollçaku dhe deputetët e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale për të diskutuar lidhur me shërbimet sociale për fëmijët dhe familjet në Kosovë.

Në këtë takim, përfaqësuesit nga KOMF njoftuan deputetët e Komisionit lidhur me gjendjen e shërbimeve sociale, të arriturat, sfidat në ofrimin e shërbimeve si dhe propozimet apo hapat qe duhet të ndiqen për përmirësimin e situatës së ofrimit të shërbimeve të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet në Kosovë.

Ofruesit e shërbimeve sociale në vitin 2024, janë në gjendje më të rëndë sa i përket financimit të shërbimeve sociale krahasuar me vitet e fundit. Kjo për arsyen, që në Dhjetor 2023, për pjesën dërrmuese, kanë përfunduar programet dhe projektet e donatorëve ndërkombëtarë në mbështetje të shërbimeve sociale, duke lënë zbrazëtira të mëdha në financimin e shërbimeve sociale. Në anën tjetër, Komunat nuk po arrinë të financojnë shërbimet sociale përkundër që shërbimet sociale janë decentralizuar që nga viti 2009.

Në këtë situatë, KOMF kërkoi mbështetje nga deputetët që në procesin e rishikimit të Ligjit për Buxhet për vitin 2024, të ngrisin zërin që të ndahet buxhet për shërbime sociale për të tejkaluar këtë situatë emergjente. Poashtu, KOMF kërkoi që deputetët të avokojnë drejt Qeverisë për krijimin e një mase të përkohshme në kuadër të Pakos për Ringjallje Ekonomike nga Ministria e Financave për funksionalizimin e shërbimeve sociale.