Arsimi në rënie të lirë!

Arsimi në rënie të lirë!

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, mbajti Konferencën për Media dedikuar arsimit në Kosovë: “Arsimi në rënie të lirë”. Paneli i përbërë nga anëtarët e KOMF: Remzije Krasniqi, Presidente e KOMF, Lulavere Behluli, Eldin Gashi dhe Marija Vuksani adresuan qëndrimet për gjendjen e arsimit në Kosovë, duke u fokusuar në aspektet e cilësisë në arsim, mbrojtjes së fëmijëve në shkolla, gjithëpërfshirjes, parandalimit të braktisjes, si dhe risive e sfidave të modelit të mësimit tërë-ditor.

Në sistemin e arsimit parauniversitar në Kosovë janë të regjistruar gjithsej 314,006 nxënës. Ky sistem mbështetet nga një personel arsimor prej 27,710 individësh, nga të cilët 22,836 janë mësimdhënës/e. Numri i institucioneve edukative-arsimore publike në vend është 1,036.

Arsimi parauniversitar në Kosovë përballet me sfida dhe probleme të shumta që ndikojnë negativisht në cilësinë e arsimit. Kalueshmëria në Testin e Arritshmërisë për këtë vit është vetëm 52.1%. Sipas Raportit Monitorues të KOMF “Karta e Vlerësimit”, puna e institucioneve publike arsimore në Kosovë është vlerësuar me notën 2.5 në një shkallë nga 1 deri në 5. Për më tepër, Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve e renditi Kosovën në vendin e 76 nga 80 shtete, duke treguar një nivel të ulët të cilësisë në arsim. Faktorët që kontribuojnë në cilësinë e ulët të arsimit në Kosovë përfshijnë:

  • Planprogrami i mbingarkuar
  • Cilësia e mësimdhënies
  • Numri tejet i madh i nxënësve në klasa, sidomos në qytete
  • Shkollat, klasat  me numër shumë të vogël të nxënësve, duke përfshirë edhe klasat e kombinuara në vendet rurale
  • Qëndrimi për kohë të shkurtër në shkolla
  • Mungesa e infrastrukturës adekuate
  • Mungesa e aktiviteteve ekstra kurrikulare
  • Menaxhimi jo i mirë i shkollave
  • Politizimi i kuadrove arsimorë
  • Mungesa e bashkëpunimit ndërmjet prindërve, mësimdhënësve dhe nxënësve
  • Llogaridhënia e ulët
  • Ndërprerjet e shumta të procesit mësimor (përfshirë ndërprerjet për shkak të grevave në arsim).

Krahas cilësisë së ulët në arsim, shkollat publike në Kosovë përballen edhe me vështirësi të tjera sikurse dhuna në shkolla dhe gjithëpërfshirja e ulët. Shkollat publike në Kosovë nuk e plotësojnë në plotni konceptin e shkollave mike për fëmijë, kjo për shkak të mjedisit të pasigurtë dhe jo miqësor, infrastrukturës së papërshtatshme, qasjes së mësimdhënësve, mungesës së personelit profesional pedagogjik dhe psikologjik në shkolla, mungesës së  bashkëpunimit të mirëfilltë me prindër, etj. Sipas Policisë së Kosovës, ka pasur rritje të madhe të incidenteve të dhunës në shkolla, krahasuar me vitet paraprake. Gjatë vitit 2022 janë raportuar gjithsej 592 raste të incidenteve në shkolla dhe përreth tyre (në diametër shumë të afërt të institucioneve shkollore). Protokolli për parandalimin dhe referimin e dhunës në institucionet e arsimit para-universitar, është duke u zbatuar pjesërisht. Kjo dëshmohet edhe nga numri shumë i vogël i rasteve të dhunës të raportuara në Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim – SMIA, ku në vitin shkollor 2022/23 janë raportuar vetëm 44 raste.

Edhe pse po bëhen përpjekje të vazhdueshme për të realizuar konceptin e arsimit gjithëpërfshirës, ky proces has në shumë vështirësi pasi Kosova është ende në fazën e krijimit të kulturës dhe praktikës gjithëpërfshirëse, gjë që kërkon burime njerëzore dhe fonde të mjaftueshme. Hapa të rëndësishëm janë bërë në avancimin e politikave, duke tentuar përfshirjen e konceptit të gjithëpërfshirjes si pjesë integrale e të gjitha politikave arsimore. Megjithatë, zbatimi i këtyre politikave dhe zhvillimi i mekanizmave që sigurojnë gjithëpërfshirjen mbetet një sfidë e madhe.

Vetëm 3,965 fëmijë me aftësi të kufizuara janë të përfshirë në klasat e rregullta. Vetëm 609 shkolla kanë qasje për fëmijët me aftësi të kufizuara. Përfshirja e fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla është e ulët dhe mësimdhënia nuk bazohet në nevojat individuale të fëmijëve. Gjithëpërfshirjen e vështirëson edhe më shumë mungesa e stafit profesional dhe mbështetës si asistentët për fëmijë me aftësi të kufizuara. Sfida të tjera për realizimin e arsimit gjithëpërfshirës konsiderohen: trajnimi joadekuat i mësimdhënësve, mungesa e metodave të mësimdhënies gjithëpërfshirëse, mungesa e pajisjeve mbështetëse teknologjike/asistuese, normat dhe paragjykimet, kurrikula dhe faktorët socio-ekonomik.

Shkollat publike kanë po ashtu mungesë të stafit profesional dhe mbështetës sikurse psikologë dhe pedagogë. Aktualisht në shkolla publike në nivel vendi janë rreth 200 psikologë dhe pedagogë. Marrë parasysh numrin e institucioneve arsimore prej 1,047 konstatohet se as çereku i shkollave nuk kanë psikologë/e të punësuar. Në të shumtën e rasteve, një psikolog mbulon katër shkolla. Përderisa ka komuna që nuk kanë fare psikologë të punësuar në shkolla.

Rekomandime:

Investimi në ngritjen e cilësisë së arsimit përmes:

  • Rishikimit të planprogramit mësimor;
  • Vlerësimit të performancës së mësimdhënësve;
  • Mbështetjes dhe zhvillimit profesional të vazhdueshëm të mësimdhënësve;
  • Realizimit të mësimit tërë ditor;
  • Rrjetëzimit të shkollave;
  • Rishikimit të kurrikulave;
  • Rishikimit të teksteve shkollore;
  • Krijimit të autonomisë së shkollave nga ndikimet politike;
  • Digjitalizimit të arsimit, aplikimit të metodave të mësimdhënies që promovojnë përdorimin e teknologjisë në mësimdhënie;
  • Pajisjes së shkollave me mjete dhe materiale mësimore e teknologji digjitale që të sigurohet mbështetja e mësimdhënies dhe të nxënit efektiv.

Krijimi i shkollave mike për fëmijë përmes:

  • Ofrimit të mjediseve miqësore, të shëndeshme e të sigurta, ku nxënësit gjejnë mbështetje nga mësimdhënësit dhe kanë pjesëmarrje aktive;
  • Zbatimit të Protokollit për parandalimin dhe referimin e dhunës në institucionet e arsimit para-universitar;
  • Zbatimit të Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve në institucionet arsimore, si mjet kyç për të siguruar ambient të sigurtë dhe mbrojtës për fëmijët.
  • Integrimin e aktiviteteve sportive dhe rekreative në shkolla, për përmirësimin e shëndetit fizik dhe mendor të fëmijëve dhe rritjen e gjithëpërfshijes.

Rritjen e gjithëpërfshirjes në arsim përmes:

  • Themelimit apo funksionalizimit të komisioneve vlerësuese për fëmijët me aftësi të kufizuara;
  • Rritjes së numrit të mësuesve mbështetës, asistentëve mbështetës për fëmijët me aftësi të kufizuar ashtu sikurse është i paraparë në legjislacion;
  • Sigurimit të shërbimeve rehabilituese të integruara për fëmijët me aftësi të kufizuara;
  • Largimit të barrierave fizike për të siguruar qasjen për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkolla;
  • Trajnimit adekuat të mësimdhënësve për metodat e mësimdhënies gjithëpërfshirëse;
  • Institucionalizimit të programeve/qendrave mësimore të cilat ofrojnë përkrahje në mësimnxënie.