Opinion nga George Bogdanov lidhur me Kartën e Vlerësimit për Kosovën

Opinion nga George Bogdanov lidhur me Kartën e Vlerësimit për Kosovën

Opinion i jashtëm nga George Bogdanov, Drejtor Ekzekutiv i Rrjetit Kombëtar në Bullgari për Fëmijët, lidhur me Raportin e parë Kosovar të Kartës së Vlerësimit për gjendjen e të drejtave të fëmijëve në vend të publikuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF

Fëmijët në Ballkan përballen me varfëri, vështirësi dhe sfida brenda familjes dhe komunitetit dhe ndikohen negativisht nga çështjet që dalin nga sistemet e pareformuara të arsimit, kujdesit shëndetësor, mbrojtjes sociale dhe drejtësisë për të miturit. Sot, më shumë se kurrë, nevojitet një vullnet i fortë politik që fëmijët në shoqëritë tona të jetojnë më mirë dhe të kenë një fëmijëri më të lumtur. Një fëmijëri ku ata rriten për të qenë të rritur të pavarur, të aftë për të zhvilluar potencialin e tyre të plotë.

Roli i shoqërisë civile dhe organizatave të fëmijëve është vendimtar në sfidimin e politikanëve, partive politike dhe vendimmarrësve në reformimin e arsimit, shërbimeve sociale, kujdesit shëndetësor, drejtësisë dhe mirëqenies së fëmijëve. Raporti i parë i Kartës së Vlerësimit për Kosovën – Cili është Vlerësimi i Përgjithshëm i Kosovës për Kujdesin ndaj Fëmijëve?” vjen në një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm për Kosovën dhe për mbarë shoqërinë kosovare, e cila po përpiqet për integrimet europiane dhe për një kohezion më të qëndrueshëm të të gjitha politikave të saj.

Ky është gjithashtu një moment kur të gjithë ne në Europë, në Ballkan dhe në Kosovë po përballemi me vështirësi serioze të shkaktuara nga pandemia, luftërat, inflacioni dhe proceset politike që dobësojnë themelet demokratike të shoqërive tona. Fëmijët janë më të prekurit dhe kjo është arsyeja pse është jashtëzakonisht e rëndësishme që ky Raport Kosovar të paraqesë një pasqyrë të hollësishme të çështjeve kryesore sistematike me të cilat ballafaqohen fëmijët, familjet, organizatat dhe vendi, të cilat ndikojnë në rritjen dhe zhvillimin e fëmijëve.

Edicioni i parë i raportit vjetor të monitorimit të Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF për situatën e fëmijëve dhe zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijëve është një instrument i rëndësishëm për pasurimin dhe racionalizimin e diskursit politik dhe publik për çështjet e fëmijëve. Problemet e paraqitura janë të shumta dhe në masë të madhe përputhen me Raportin të cilin ne në Bullgari e botojmë për më shumë se 10 vite. Pavarësisht hapave progresiv të ndërmarrë nga institucionet shtetërore dhe partitë politike në Bullgari, duhen ndërmarrë veprime shumë më efikase për të ndryshuar jetën e fëmijëve, veçanërisht të fëmijëve nga komunitetet e margjinalizuara dhe fëmijëve përtej qendrave të mëdha urbane. Pikërisht ky është roli i shoqërisë civile –  të nxjerrë në pah problemet dhe sfidat dhe të propozoj zgjidhje për atë që duhet të përmirësohet veçanërisht për fëmijët dhe familjet.

Krahas informacionit statistikor dhe analizës së thelluar të politikave të fëmijëve, raporti i parë “Karta e Vlerësimit – Cili është Vlerësimi i Përgjithshëm i Shtetit të Kosovës për Kujdesin ndaj Fëmijëve?” jep mbi 100 rekomandime institucioneve shtetërore dhe politikanëve në Kosovë. Sektori jo qeveritar në Kosovë, i cili punon me fëmijët dhe familjet meriton jo thjesht të dëgjohet, por të konsultohet në mënyrë proaktive dhe kuptimplotë në të gjitha ligjet dhe politikat përkatëse, së bashku me monitorimin dhe vlerësimin e mëvonshëm të këtyre të fundit. Bashkimi i ekspertizës së këtyre profesionistëve dhe nënvizimi i fushave problematike për reformë dhe veprim nga shteti, është një përpjekje e madhe në emër të organizatave të shoqërisë civile në Kosovë.

Ky raport monitorimi për fëmijët në Kosovë padyshim duhet të zhvillohet dhe të bëhet praktikë e përvitshme, në mënyrë që çdo profesionist i fushës të presë me padurim botimet e dyta, të treta dhe të gjitha botimet tjera të raportit.

Në këtë mënyrë ju inkurajoj fuqishëm, që në botimet e mëvonshme të raportit, të integroni, sipas shembullit të Raportit në Bullgari, materiale autentike të përgatitura nga fëmijët dhe të rinjtë, etj. të dhëna nga analizat dhe anketimet e fëmijëve nga komunitetet e margjinalizuara, fëmijët në kujdes alternativ, fëmijët viktima, fëmijët në konflikt me ligjin, fëmijët me nevoja të veçanta. Lërini edhe fëmijët dhe të rinjtë, autorë në Raport, të kenë një rol kyç në prezantimin e raportit para institucioneve dhe publikut më të gjerë.

Tash e tutje, ekspertët dhe profesionistët e Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF do të përballen çdo vit me sfidën e përmirësimit të Raportit dhe për ta bërë atë gjithnjë  më të pranueshëm dhe të njohur jo vetëm për politikanët, deputetët dhe institucionet, por edhe për gjithë shoqërinë kosovare. Padyshim, fillimi është i vështirë, por është e rëndësishme që të vendosen bazat për një diskutim konstruktiv dhe kritik të problemeve reale me të cilat ballafaqohen fëmijët dhe familjet e Kosovës – detyrë të cilën Koalicioni e ka përballuar shkëlqyeshëm.

Është e domosdoshme që së bashku të përpiqemi t’u lëmë fëmijëve tanë një shoqëri më të mirë dhe të mos kemi turp për gabimet dhe mosveprimet tona nesër! I uroj me gjithë zemër fat të gjithë kolegëve të mi kosovarë që kanë përqafuar misionin e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Le të jemi të guximshëm dhe të vendosur!