KOMF publikoi Raportin e parë të Monitorimit, instrumentin ndërkombëtar “Karta e Vlerësimit” – Cili është rezultati i përgjithshëm i Kosovës për kujdesin ndaj fëmijëve? Raporti u publikua në Kuvendin e Kosovës, me prezencën e përfaqësuesve të Kuvendit të Kosovës, Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, ministrive përkatëse, institucioneve tjera, agjencive ndërkombëtare, organizatave jo qeveritare si dhe partnerëve të tjerë.
Vlerësimi i përgjithshëm për punën e shtetit dhe institucioneve të Kosovës në vitin 2022 është 2.35 (notimi nga nota 1 deri në 5).
Qëllimi kryesor i KOMF përmes këtij raporti është realizimi i monitorimit të pavarur të shoqërisë civile në fushën e të drejtave të fëmijëve në baza vjetore, të bazuar në fakte dhe dëshmi. Raporti ofron të dhëna për gjendjen e të drejtave të fëmijëve, nivelin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe jep rekomandime, të cilat priten të mbështesin përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Kosovë. Fushat në të cilat është analizuar progresi për politikat, legjislacionin për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe zbatimin e tyre janë: Mirëqenia sociale, Mbrojtja e fëmijës, Shëndeti i fëmijës, Zhvillimi në fëmijërinë e hershme, Arsimi dhe Drejtësia për të mitur.
Vlerësimi i fushave në këtë raport bazohet në sistemin e notimit sikurse notimi i nxënësve në shkollat e Kosovës, nga nota një deri në notën pesë. Raporti është hartuar nga 24 bashkë-autorë, ekspertë nga organizatat anëtare të KOMF.
Çështjet kryesore nga Karta e Vlerësimit:
MIRËQENIA SOCIALE
Nota: 2.6
Kosova orienton mbështetjen e mirëqenies sociale së fëmijëve dhe familjeve kryesisht përmes transfereve sociale. Sistemi aktual i mbrojtjes sociale në Kosovë, nuk arrin mjaftueshëm të adresojë nevojat e ndryshme të fëmijëve dhe familjeve të cenueshme. Transferet sociale kanë ndikim shumë të kufizuar në uljen e varfërisë së fëmijëve dhe familjeve, duke rezultuar me shkallë të lartë të varfërisë së fëmijëve krahasuar me shtetet e tjera në rajon. Hap pozitiv vlerësohet të jetë inicimi i procesit të rishikimit të legjislacionit për asistencë sociale i cili pritet të eliminojë kriteret diskriminuese për fëmijët dhe përfshirjen më të madhe të fëmijëve dhe familjeve që jetojnë në varfëri. Arritje vlerësohet të jetë miratimi i Ligjit të ri për Shërbime Sociale dhe Familjare, i cili hap zyrtarisht procesin e reformës së shërbimeve sociale në vend. Sfidë kryesore në fushën e shërbimeve sociale mbetet financimi i paqëndrueshëm duke rrezikuar mbylljen apo uljen e cilësisë së shumë shërbimeve sociale për fëmijët dhe familjet në nevojë. Projektligji për Financat e Pushtetit Lokal i finalizuar që disa vite, i cili pritet të krijojë Grantin e Veçantë për Shërbime Sociale dhe rregullimin e financimit të qëndrueshëm për shërbime sociale, nuk është miratuar. Procesi i kostimit të shërbimeve sociale dhe hartimit të formulës së financimit edhe pse i nisur vite më parë, nuk arriti të finalizohet. Po ashtu, nuk ka pasur një hartëzim të shërbimeve dhe nevojave të popullatës për shërbime që do të informonte edhe politikëbërjen qendrore dhe komunale në hartimin e programeve dhe planifikimin e programeve sociale dhe shërbimeve konform nevojave.
MBROJTJA E FËMIJËVE
Nota: 2.5
Megjithëse Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka hyrë në fuqi nga viti 2020, ky ligj nuk ka gjetur akoma zbatim të plotë. Legjislacioni sekondar që buron nga ky ligj nuk është kompletuar akoma. Nga 17 udhëzimet administrative që burojnë nga ky ligj, nëntë prej tyre janë miratuar, përderisa tetë udhëzime administrative të tjera nuk janë miratuar. Shërbimet dhe programet e reja të parapara në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës ende nuk janë themeluar. Parandalimi nuk ka gjasa të jetë ende element thelbësor i shërbimeve për mbrojtjen e fëmijës. Po ashtu, linja telefonike falas për fëmijë dhe shtëpitë për mbrojtjen e fëmijës nuk janë themeluar akoma. Në Kosovë, aktualisht kemi një sistem të fragmentuar të mbrojtjes së fëmijëve, për pasojë shërbimet në mes të sektorit të arsimit, mirëqenies dhe shëndetësisë nuk janë të integruara. Problematikë vazhdon të mbetet identifikimi dhe raportimi apo vetë raportimi i fëmijëve në situata të dhunës si dhe trajtimi i rasteve të dhunës nga sistemi. Kosova vazhdon të mos ketë shërbime të specializuara për të adresuar mbrojtjen dhe reintegrimin e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda.
SHËNDETI I FËMIJËVE
Nota: 2.25
Të dhënat statistikore lidhur me shkallën e gjidhënies, numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, numrin e fëmijëve që konsumojnë duhan, alkool dhe numrin e fëmijëve përdorues të drogave mungojnë. Vdekshmëria e foshnjave në Kosovë, megjithëse është zvogëluar ndër vite, vazhdon të mbetet ende më e larta në krahasim me shtetet e rajonit. Arritje ishte zgjerimi i Kalendarit të vaksinimit me tre vaksina të reja për fëmijët, vaksina kundër rotavirusit, vaksina kundër pneumokokut e meningjitit dhe vaksina HPV, kundër kancerit të qafës së mitrës. Sa i përket sistemit shëndetësor terciar, funksionalizimi i spitalit të ri kirurgjikpediatrik ka përmirësuar përkujdesin shëndetësor të fëmijëve. Mungesa e barnave në kujdesin parësor shëndetësor, spitalet rajonale dhe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës vazhdon të mbetet problematike. Ligji për Sigurime Shëndetësore i miratuar në vitin 2014, asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi. Mbështetja shtetërore për ofrimin e shërbimeve shëndetësore rehabilituese për fëmijët me aftësi të kufizuara mbetet shumë e kufizuar. Vendi ynë vazhdon të mos sigurojë shërbime dhe programe të qëndrueshme parandaluese të cilat janë më se të nevojshme duke parë trendet në rritje të përdorimit të drogave nga fëmijët dhe adoleshentët. Kosova nuk ofron shërbime të veçanta të rehabilitimit për fëmijët viktima të abuzimit me narkotikë. Numri i kërkesave nga fëmijët për shërbime të shëndetit mendor është rritur sidomos pas pandemisë Covid-19. Më qëllim të ruajtjes së mirëqenies së plotë fizike dhe mendore, Ministria e Shëndetësisë miratoi Planin e veprimit për shëndet mendor pas pandemisë COVID-19. Megjithatë, burimet në dispozicion për shëndetin mendor të fëmijëve në institucionet publike shëndetësore janë shumë të kufizuara.
ZHVILLIMI NË FËMIJËRINË E HERSHME
Nota: 2.25
Kosova vazhdon të mbetet vendi me përfshirjen më të ulët të fëmijëve në edukimin parashkollor krahasuar me vendet në rajon. Shkaku kryesor për një pjesëmarrje kaq të ulët është kapaciteti i vogël absorbues i rrjetit të institucioneve parashkollore dhe vetëdija e përgjithshme për format tradicionale të edukimit brenda familjes. Institucionet parashkollore kryesisht janë të fokusuara në zona urbane, përderisa zonat rurale janë pothuajse të përjashtuara nga qasja në shërbime për zhvillim në fëmijëri të hershme. Ka mungesë të programeve të mjaftueshme alternative për mbështetjen e prindërve, shërbimeve për ndërhyrje të hershme në ambient familjar, mungesë të qendrave ditore, qendrave mësimore, qendrave në komunitet, grupeve mbështetëse të prindërve. Fëmijët që vijnë nga grupet e cenueshme edhe pse janë të liruar nga pagesa, shumë shpesh nuk përfshihen në institucionet parashkollore. Kujdesi dhe edukimi në fëmijërinë e hershme janë edhe më kritike tek fëmijët me aftësi të kufizuara, ku identifikimi dhe ndërhyrja e hershme mungojnë në masë të madhe. Shërbimet për zhvillimin në fëmijërinë e hershme nuk janë të integruara mes sektorëve të arsimit, shëndetësisë dhe atë të mirëqenies sociale. Hap pozitiv ishte miratimi i Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme, i cili ndër të tjera pritet të fillojë integrimin e shërbimeve në fëmijërinë e hershme.
ARSIMI
Nota: 2.5
Arsimi ballafaqohet me sfida dhe probleme të shumta, të cilat reflektojnë në cilësinë jo të mirë të arsimit në Kosovë. Kosova është renditur ndër të fundit në Programin Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve, PISA, ku ka zënë vendin e 76 nga 80 shtete pjesëmarrëse për lexim, ndërsa është në vendin e 77 nga 80 për shkencë. Ka shumë faktorë të cilët ndikojnë që Kosova të ketë cilësi të ulët në arsim, sikurse, cilësia e performancës së mësimdhënësve, cilësia e teksteve mësimore, numri tejet i madh i nxënësve në klasa e sidomos në qytete, mungesa e infrastrukturës në shkolla, menaxhimi jo i mirë, politizimi i kuadrove arsimore në shkolla, mos funksionimi i bashkëpunimit në mes të prindërve, mësimdhënësve dhe nxënësve, llogaridhënia e ulët, etj. Institucionet e Kosovës kanë bërë hapa në avancimin e politikave dhe legjislacionit duke tentuar zbatimin e konceptit të gjithëpërfshirjes si pjesë integrale në të gjitha politikat në arsim. Megjithatë sa i përket zbatimit të politikave dhe zhvillimit të mekanizmave që sigurojnë gjithëpërfshirjen, ende ka shumë punë për të bërë. Shumica e komunave kanë themeluar ekipet komunale për vlerësimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara por në shumicën e komunave ekipet nuk janë funksionale. Shkollat kanë mungesë të stafit profesional dhe mbështetës sikurse psikologë, pedagogë dhe asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuara. Më konkretisht, as çereku i shkollave nuk kanë psikologë/e të punësuar në shkollë. Veprim për tu vlerësuar, ishte vendimi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për punësimin e 100 asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara. Sipas të dhënave zyrtare braktisja e shkollimit është e një shkalle të ulët, por si fenomen konsiderohet më i pranishëm dhe shqetësues tek komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Po ashtu, ekipet për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes dhe mos regjistrimit në arsimin e obliguar në nivel shkolle nuk funksionojnë si duhet në shumicën e komunave.
DREJTËSIA PËR TË MITUR
Nota: 2
Shërbimet për parandalimin dhe mbrojtjen e të miturve në konflikt me ligjin pa përgjegjësi penale mungojnë në masë të madhe. Kjo ndodh për shkak të kapaciteteve tejet të kufizuara në kuadër të Qendrave për Punë Sociale si dhe mungesës së theksuar të shërbimeve edhe nga sektori joqeveritar. Edhe pse Kodi i ri i Drejtësisë për të Mitur ka dyfishuar masat e diversitetit, të cilat luajnë një rol vendimtar në parandalimin e fillimit të procedurave gjyqësore kundrejt të miturve dhe nxitjen e rehabilitimit dhe reintegrimit të tyre në shoqëri, zbatimi i masave të diversitetit ballafaqohet me sfida. Për më tepër, vitet e fundit vihet re një rënie e theksuar e zbatimit të këtyre masave në sistemin e drejtësisë për të mitur. Të miturit me masë edukuese korrektuese mbahen në institucion të tipit të mbyllur, gjë që përbën shkelje të dispozitave të Kodit të Drejtësisë për të Mitur, rrjedhimisht shkelje të rëndë të të drejtave themelore të fëmijëve. Kjo për shkak se në Qendrën Edukative të tipit të hapur nuk bëhen pranime të drejtpërdrejta sipas vendimit të Gjykatës, por vetëm transfere nga Qendra Korrektuese. Një shqetësim i vazhdueshëm, është fakti që në mungesë të një qendre korrektuese për të miturat femra, ato vendosen në qendër me të paraburgosurat/dënuarat e rritura. Konstatohet numër i madh i zyrtarëve korrektues dhe numër tejet i vogël i stafit profesional. Organizimi aktual ka synim primar sigurinë, pengimin e ikjes së të miturve duke neglizhuar në masë të madhe punën në rehabilitim, edukim dhe reintegrim të të miturve, që përbën edhe qëllimin e dhënies së masave.
Recent Comments