KOMF është konsultuar gjatë hartimit të Raportit të Progresit për vitin 2022 dhe ka prezantuar çështjet të cilat kanë nevojë për ndërhyrje emergjente në lidhje me të drejtat e fëmijëve.
Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2022, tregon që korniza ligjore e Kosovës lidhur me të drejtat e fëmijës është në përputhje me standardet ndërkombëtare, por zbatimi i Ligjit mbetet i kufizuar. Ligji i ri për Mbrojtjen e Fëmijës, i cili mbron fëmijët nga të gjitha format e dhunës fizike dhe mendore, duhet të zbatohet në mënyrë efektive. Nga 17 udhëzimet administrative sa janë të parapara me këtë Ligj, vetëm një prej tyre është publikuar si i miratuar në Gazetën Zyrtare. Sektori i Hetimeve të Krimeve Kibernetike në kuadër të Policisë së Kosovës përfshin njësinë për hetimin e veprave penale në lidhje me pornografinë ndaj fëmijëve, përfshirë shkarkimin, posedimin dhe shpërndarjen e materialeve me përmbajtje të abuzimit seksual nda fëmijëve. Kodi i ri Civil synon rregullimin e koncepteve ligjore dhe dispozitave të qarta në lidhje me trajtimin e fëmijëve në situatat më të cenueshme, veçanërisht të fëmijëve pa përkujdesje prindërore. Ligji për Financat e Pushtetit Lokal, edhe pse i konsultuar në Shtator 2021, ende nuk është miratuar. Ky Ligj ka paraparë një Grant Specifik për Shërbimet Sociale, i cili do të mundësojë zbatimin më të mirë të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës. Ky proces duhet të përshpejtohet nga autoritetet përkatëse së bashku me fushata ndërgjegjësuese për promovimin e Ligjit dhe informimin e autoriteteve mbi detyrat e tyre dhe përgjegjësitë
Fëmijëve me aftësi të kufizuara u mungon qasja e duhur në objektet arsimore si dhe asistenca e nevojshme. Për të adresuar këtë problem, qeveria është zotuar të punësojë 100 asistentë për të ndihmuar fëmijët me nevoja të veçanta, por ky proces ende nuk është finalizuar. Autoritetet duhet të rrisin mbështetjen financiare për të përmirësuar shërbimet sociale dhe shëndetësore të bazuara në komunitet për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe të rrisin përpjekjet për t’i integruar ata në mënyrë efektive në institucionet arsimore. Vajzat përballen me më shumë sfida sesa djemtë për sa i përket qasjes në arsim. Dhuna në shkolla, përfshirë bullizmi, është në rritje. Duhet të krijohen skema të qëndrueshme financimi për ofruesit e shërbimeve sociale, përfshirë shërbimet për fëmijë.
Strehimi familjar për fëmijët pa përkujdes prindëror, nuk është shtrirë ende në të gjitha komunat e Kosovës. Organizatat e shoqërisë civile kanë avokuar që Kodi i ri Civil të parasheh një formë të re të mbrojtjes të quajtur “Jetesa e pavarur e mbikëqyrur”, e cila do të mundësonte mbështetjen e personave pa përkujdesje prindërore deri në moshën 26 vjeç në vend të 18. Ka mungesë shërbimesh cilësore dhe programeve të dedikuara për parandalimin dhe riintegrimin e fëmijëve viktima të abuzimit me drogën. Komunat duhet të sigurojnë financim të qëndrueshëm për qendrat mësimore për fëmijët e komunitetit rom, në mënyrë që t’i mbajnë në shkolla. Ligji i ri për Zhvillimin në Fëmijërinë e Hershme synon të kontribuojë drejt integrimit të shërbimeve në zhvillimin e fëmijërisë së hershme. Përgjatë viteve, autoritetet përgjegjëse nuk kanë arritur të trajtojnë problemet që lidhen me fëmijët në rrugë, përfshirë fëmijët që kërkojnë lëmoshë. Martesat e fëmijëve, të hershme dhe të detyruara mbeten një çështje veçanërisht në mesin e komuniteteve Rom dhe Ashkali.
Kliko këtu për të lexuar Raportin e Progresit për Kosovë, për vitin 2022.
No Comments