Jemi të lumtur që sot në takimin me anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme të KOMF kuptuam që Projektligji për Shërbime Sociale dhe Familjare i proceduar nga Ministria e Drejtësisë u miratua në takimin e Qeveria e Republikës së Kosovës. Jemi të lumtur që vizioni i KOMF për reformën e shërbimeve sociale arriti të përfshihet në plotni në këtë projektligj. Hartimi i projektligjit ishte proces i gjatë, intensiv dhe shumë sfidues, por që për KOMF dhe organizatat anëtare ishte i domosdoshëm. Në këtë rrugëtim ishim me një zë të përbashkët me Institucioni i Avokatit të Popullit, Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale Kosovë dhe Asociacioni i Komunave te Kosovës. Nga ligji i ri pritet që fëmijët, familjet dhe qytetarët në nevojë të marrin shërbime sociale dhe familjare më cilësore dhe të qëndrueshme.
Falenderojmë kryesuesen e grupit punues Adile Shaqiri nga Departmenti për Shërbime Sociale dhe Mentor Morina nga Departmenti i Politikave Sociale, për bashkëpunimin e ngushtë, përfshirjen dhe integrimin kuptimplotë të shoqërisë civile përgjatë gjithë procesit të hartimit.
Falenderojmë European Union in Kosovo, Unicef Kosovo Programme, KCSF për mbështetjen në këtë proces.
Projektligji për Shërbime Sociale dhe Familjare sjell risitë si më poshtë:
• Rritjen e gamës së shërbimeve, themelimin e shërbimeve të reja duke përcaktuar shërbimet e parandalimit, mbrojtjes, rehabilitimit dhe re integrimit, si dhe duke i klasifikuar shërbimet në tri kategori primare, sekondare dhe terciare, duke garantuar kështu të drejtën në shërbime sociale për të gjithë fëmijët dhe personat në nevojë për shërbime sociale, pa marrë parasysh nivelin e urgjencës apo rrezikshmërisë.
• Krijimin e një skeme të hapur të ofrimit të shërbimeve sociale në mes të sektorit publik, jo qeveritar dhe atij privat. Skema e hapur dhe e qëndrueshme e ofrimit të shërbimeve sociale në mes të institucioneve publike, sektorit jo qeveritar dhe privat, ofron mundësi për gamë më të gjerë të ofrimit të shërbimeve sociale, shërbime të specializuara dhe më cilësore.
• Zhvillimin dhe fuqizimin e shërbimeve në familje dhe shërbimeve me bazë në komunitet, zgjerimin e formave të mbrojtjes, konkretisht zhvillimin e strehimit familjar pas arritjes së moshës 18 vjeçare zhvillimin e formës së re të mbrojtjes “Jetesa e pavarur e mbikëqyrur”.
• Ndarjen e përgjegjësive të institucioneve të nivelit qendror dhe komunal, për të shmangur paqartësitë rreth themelimit të shërbimeve sociale, menaxhimit, monitorimit dhe inspektimit.
• Ndarjen e funksionit të inspektimit dhe monitorimit, fuqizimin e inspektimit përmes dhënies së kompetencave ekzekutive, përcaktimin e masave, gjobave dhe sanksioneve si dhe ofrimin e kapaciteteve të nevojshme për kryerjen e funksioneve të kërkuara.
• Rregullimin e kontraktimit të shërbimeve sociale dhe familjare.
• Edukimin e vazhdueshëm profesional, akreditimin e programeve në fushën e shërbimeve sociale dhe familjare.
Recent Comments