Vdekshmëria e foshnjeve, imunizimi dhe gjidhënia në Kosovë

Vdekshmëria e foshnjeve, imunizimi dhe gjidhënia në Kosovë

Vdekshmëria e foshnjeve

Vdekshmëria e foshnjave në Kosovë, megjithëse është zvogëluar ndër vite, vazhdon të mbetet ende më e larta në krahasim me shtetet e rajonit. Në vitin 2022, u regjistruan 117 raste të vdekjes së foshnjave. Raportet nga Reparti i Neonatologjisë tregojnë një rënie të shkallës së vdekshmërisë së foshnjave në të njëjtën periudhë, në krahasim me vitin 2021. Ndër shkaktarët e vdekjeve të foshnjave në Kosovë janë shkaqet perinatale, prematuriteti me komplikime, anomalitë, komplekse të lindura dhe infeksionet.

Skriningu neonatal ende nuk aplikohet në vendin tonë. Skriningu neonatal është planifikuar të realizohet në planin e veprimit për shëndetin e nënës dhe fëmijës për vitet 2023 – 2025 i cili është finalizuar dhe pas përcaktimit të kostos financiare pritet të aprovohet.

 

Imunizimi

Në Kosovë, është e obliguar që fëmijët të imunizohen kundër dhjetë sëmundjeve ngjitëse, që janë pjesë e Programit të Zgjeruar të Imunizimit (PZI). Këto janë sëmundje për të cilat ekzistojnë vaksina të detyrueshme ligjërisht, dhe fëmijët vaksinohen në periudha kohore të caktuara sipas ligjit. Sipas të dhënave nga Ministria e Shëndetësisë, shkalla e mbulueshmërisë me vaksinat arrin në 91%.

Sa i përket përkujdesjes shëndetësore konstatohet diskrepancë e madhe në mes të fëmijëve që jetojnë në komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian dhe fëmijëve nga popullsia e përgjithshme, ku edhe tek pjesa e imunizimit, vazhdon që të jetë një përqindje e ulët e mbulueshmërisë së fëmijëve nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian.

Arritje ishte zgjerimi i Kalendarit të vaksinimit me tre vaksina të reja për fëmijët, vaksina kundër rotavirusit, vaksina kundër pneumokokut e meningjitit dhe vaksina HPV, kundër kancerit të qafës së mitrës.

 

Gjidhënia

Vitet e fundit, nuk ka të dhëna zyrtare të publikuara apo të qasshme për shkallën e gjidhënies në nivel vendi. Statistikë referuese vazhdojnë të mbesin të dhënat shqetësuese për gjidhënien të raportit Anketa e Treguesve të Shumëfishtë MICS 2020 të vitit 2020, ku vetëm 32% e të posalindurve ushqehen me gji brenda orës së parë pas lindjes, ndërsa të ushqyerit vetëm me gji është prevalent vetëm për 29% të fëmijëve nën moshën 6 muajsh, të dhëna këto që shfaqin nivel mjaft të ulët të ushqyerjes me gji. Ndërsa, vetëm 16% e fëmijëve nën moshën 6 muajshe nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian në Kosovë ushqehen vetëm me qumësht gjiri.

Ministria e Shëndetësisë ka zhvilluar tashmë programin e vizitave shëndetësore në shtëpi, me mbështetjen e donatorëve. Sipas të dhënave të ofruara nga Ministria e Shëndetësisë, këto vizita janë zhvilluar në 29 komuna deri më tani.96 Këto vizita kanë për qëllim mbështetjen e praktikave të gjidhënies, të ushqyerit e shëndetshëm, identifikimin e problemeve shëndetësore tek fëmijët dhe përmirësimin e shëndetit të lehonave dhe të nënave.

Në disa prej komunave të Kosovës, në kuadër të Qendrave të Mjekësive Familjare janë hapur Klasat për Nëna dhe Fëmijë. Qëllimi i këtyre klasave është të ndikojë në përmirësimin e shëndetit të nënës dhe fëmijës përmes edukimit shëndetësor të nënave nga para-lindja deri tek procesi i pas-lindjes dhe kujdesit për fëmijën, duke ndikuar në zhvillimin në fëmijërinë e hershme. Aktualisht programi i Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas (QIShG – Klasat për nëna) funksionon në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike në Prishtinë dhe në Qendrat Kryesore të Mjekësive Familjare në 18 komuna.

  • Realizimi i skriningut apo “screening test” tek të posalindurit në institucionet publike dhe private shëndetësore për diagnostikim të hershëm të sëmundjeve potenciale;
  • Realizimi i transportit neonatal nga spitalet rajonale në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës – QKUK si dhe ngritja e kapaciteteve të personelit shëndetësor për transportin neonatal. Kjo do të ndikojë në uljen e vdekjeve të foshnjave të cilat aktualisht transportohen nga ekipe jo mirë të përgatitura dhe në kushte jo adekuate;
  • Intensifikimi i programit të vizitave në shtëpi nga Qendrat e Mjekësisë Familjare në të gjitha komunat e Kosovës, për të mundësuar vaksinimin në shtëpi (vaksinimin derë më derë), mbështetjen e praktikave të gjidhënies, të ushqyerit e shëndetshëm si dhe identifikimin e problemeve shëndetësore tek fëmijët, duke kontribuar kështu drejtpërdrejtë në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve;
  • Zgjerimi dhe promovimi i modelit të Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas (QIShG – Klasat për nëna) për të promovuar edukimin shëndetësor, shëndetin e nënave gjatë shtatzënisë, gjidhënien, vaksinimin dhe rritjen e shëndetshme;
  • Informimi, ndërgjegjësimi dhe edukimi shëndetësor përmes fushatave për përmirësimin e praktikave shëndetësore, planifikim familjar, shëndetin riprodhues dhe marrjen e shërbimeve shëndetësore.
  • Propozimi i ndryshimeve ligjore nga Ministria e Shëndetësisë drejt Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, duke paraparë masa ndëshkuese për prindërit të cilët neglizhojnë dhe refuzojnë vaksinimin e fëmijëve;