KOMF mbajti tryezën e diskutimit: “Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës – progresi në zbatimin e tij”. KOMF përgjatë muajve Shtator – Dhjetor 2022, në bashkëpunim me Zyrën për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, dhe me mbështetje nga Unicef Kosovo Programme, me qëllim të sensibilizimit të institucioneve, ka mbajtur një seri të punëtorive në komunat e Republikës së Kosovës me mbi 400 profesionistë që punojnë në mbrojtjen e fëmijëve.
Qëllimi i kësaj tryeze është që të prezantohen sfidat kryesore në zbatim të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës të identifikuara gjatë punëtorive dhe të diskutohen rekomandimet konkrete për zbatimin efikas të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Përkundër faktit që Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka hyrë në fuqi më 19 Korrik 2020, ky Ligj nuk është duke u zbatuar. Pjesa dërrmuese e profesionistëve për mbrojtjen e fëmijëve, nuk kanë pasur njohuri për përgjegjësitë që dalin nga Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës dhe as për risitë që ka sjellë ky Ligj, sikurse përkufizimet e reja, mekanizmat institucional, masat dhe sanksionet, etj.
Nga 16 Udhëzimet Administrative të parapara në kuadër të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, vetëm 5 nga to janë miratuar. Mekanizmi kryesor institucional i paraparë në LMF në nivel komunal, Ekipi për të Drejtat e Fëmijës ende nuk është themeluar në të gjitha komunat, përkatësisht ky Ekip është themeluar në 11 Komuna të Kosovës.
Shërbimet dhe programet e reja të parapara në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, ende nuk janë themeluar. Ka mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe financiare për zbatim të dispozitave të LMF, si pasojë e mos-prioritizimit dhe mos-ndarjes së buxhetit të nevojshëm për mbrojtje të fëmijës. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë proces të monitorimit apo inspektimit nga asnjë institucion (Kuvendi, Qeveria, Komuna) lidhur me nivelin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Kjo tryezë u mundësua në kuadër të projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme”, mbështetur nga Unicef Kosovo Programme në partneritet me USAID Kosovo.
No Comments