312 ofrues të shërbimeve sociale ndjekën tre trajnimet e organizuara nga KOMF

312 ofrues të shërbimeve sociale ndjekën tre trajnimet e organizuara nga KOMF

312 ofrues të shërbimeve sociale, prej të cilëve 174 nga sektori publik dhe 139 nga organizatat jo qeveritare, kanë rritur kapacitetet për ofrim të shërbimeve sociale cilësore për fëmijët dhe familjet e cenuara, përmes ndjekjes së tre trajnimeve të organizuara nga KOMF.

Ndër ta, vlen të theksohet një pjesëmarrje masive e 89% të zyrtarëve të shërbimeve sociale nga të gjitha Qendrat për Punë Sociale në Kosovë, të cilët kanë qenë pjesë e këtyre trajnimeve.

Gjatë muajve Shtator dhe Tetor, KOMF ka mbajtur trajnime dy ditore të lidhura me ofrimin e shërbimeve sociale cilësore, në shtatë rajonet e Kosovës, për tre module:

  1. Standardet Minimale të Shërbimeve Sociale për Mbrojtjen e Fëmijëve (0-18)
  2. Monitorimi dhe Inspektimi i Shërbimeve Sociale dhe Familjare
  3. Legjislacioni i Shërbimeve Sociale dhe Familjare

Për më tepër, çertifikatat e ndara nga KOMF për të gjithë ofruesit e shërbimeve sociale dhe familjare, do tu shërbejnë atyre për proceset e licencimit dhe ri-licencimit për ofrim të shërbimeve sociale.

Me qëllim të rritjes së kapaciteteve të ofruesve të shërbimeve sociale, KOMF ka mbështetur hartimin e këtyre tre moduleve, si dhe të gjashtë moduleve të tjera që do të përfshihen në programin e trajnimit të Këshillit të Përgjithshëm për Shërbime Sociale dhe Familjare.

Mbajtja e trajnimeve u mundësua përmes projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në Kosovë”, dhe mbështetet nga Unicef Kosovo Programme në partneritet me USAID Kosovo.