Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka mbajtur konferencën për publikimin e Raportit të Monitorimit “Shërbime Sociale Afër Qytetarit”. KOMF ka monitoruar procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale për vitin 2021 dhe ka hartuar Raportin e Monitorimit, i cili ka si qëllim kryesor pasqyrimin e gjendjes aktuale mbi ofrimin e shërbimeve sociale si dhe krahasimin e shërbimeve sociale me dy vitet paraprake.
Raporti ofron të gjetura si dhe rekomandime lidhur me menaxhimin e shërbimeve, financimin, monitorimin, inspektimin dhe llogaridhënien e shërbimeve sociale.Gjatë kësaj konference, paneli i diskutimit i përbërë nga Donjetë Kelmendi, Drejtor Ekzekutiv në KOMF, Besnik Bislimi, Zëvendës Kryeministër i Republikës së Kosovës, Fatmire Mulhaxha Kollçaku, Deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës si dhe Naim Qelaj, Institucioni i Avokat i Popullit, diskutuan mbi të gjeturat dhe rekomandimet e Raportit të Monitorimit.
Bukurezë Surdulli nga KOMF, prezantoi të gjeturat dhe rekomandimet kryesore. Sipas Raportit proceset e nisura legjislative që rregullojnë shërbimet sociale dhe financimin e tyre, kanë vazhduar të zvarriten dhe nuk kanë arritur të përmbyllen. Përkundër parashikimeve të planit legjislativ të Qeverisë për vitin 2021, dy projektligjet kryesore që pritet të ndikojnë në decentralizimin dhe avancimin e shërbimeve sociale, që janë Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare dhe Ligji për Financat e Pushtetit Lokal, nuk arritën të procedohen për miratim.
Financimi i shërbimeve sociale mbetet sfida kryesore në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare për vitin 2021. As në vitin 2021, nuk ka pasur ndonjë progres sa i përket decentralizimit të buxhetit për shërbime sociale. Vlen për tu përmendur fakti se Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka rritur shumën e financimit të shërbimeve të sektorit joqeveritar në krahasim me vitin 2020. Po ashtu, nga shtatë komunat e monitoruara, progres ka pasur vetëm Komuna e Prishtinës e cila ka shënuar rritje të financimit për sektorin jo qeveritar në tri vitet e fundit.
Gjatë vitit 2021, kapacitetet e komunave për menaxhim dhe ofrim të shërbimeve sociale kanë vazhduar të jenë të mangëta sikur në dy vitet paraprake. Aktualisht, mungojnë aktivitete të ngritjes së kapaciteteve për planifikim dhe menaxhim të buxhetit, mungon vlerësimi i nevojave në secilën komunë dhe bashkëpunimi i mirëfilltë në mes të QPS-ve dhe DSHMS-ve për hartim të një planifikimi buxhetor të përbashkët konform këtyre nevojave.
Mandati i monitorimit dhe inspektimit i shërbimeve sociale ka vazhduar të jetë i pa qartë dhe i pa definuar. Njësia për Monitorim dhe Inspektim në kuadër të MFPT ende nuk ka kompetenca ekzekutive, gjë që e zbeh rolin e inspektimit tek ofruesit e shërbimeve sociale. Në vitin 2021, asnjë nga ofruesit e shërbimeve nuk ka pasur monitorim të mirëfilltë nga komunat – DSHMS-të apo monitorim të jashtëm. Komunat nuk i kanë instrumentet dhe kapacitetet e nevojshme për të zhvilluar proces të monitorimit për ofruesit e shërbimeve sociale.
Nevoja për shërbime sociale ka qenë në rritje edhe përgjatë vitit 2021, sidomos rastet e dhunës në familje, ndërsa kapacitetet e ofruesve të shërbimeve sociale nuk janë shtuar.
Ndërsa, disa nga rekomandimet kryesore të këtij Raporti janë:
Ky aktivitet mundësohet në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, i cili implementohet nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP si dhe programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.
No Comments