Drejtësia për të mitur

Drejtësia për të mitur

FËMIJËT NË KONFLIKT ME LIGJIN NËN MOSHËN E PËRGJEGJËSISË PENALE

Gjatë vitit 2022, Qendrat për Punë Sociale në kuadër të mbrojtjes së kësaj kategorie, kanë menaxhuar 579 raste të fëmijëve të mitur në konflikt me ligjin, nën moshën e përgjegjësisë penale. Qendrat për Punë Sociale kanë kapacitete tejet të kufizuara për ofrimin e shërbimeve e nevojshme në përputhje me nevojat. Në këtë fushë ka mungesë të theksuar të shërbimeveve edhe nga sektori joqeveritar.

Po ashtu mangësi të sistemit përbën edhe mungesa e punës me familjen ku sërish Qendrat për Punë Sociale kanë mungesë të burimeve njerëzore të nevojshme për të realizuar punën me familjen, e cila në këto raste duhet zhvilluar paralelisht me punën që bëhet me fëmijën.

Përveç sfidës në ofrimin e shërbimeve sociale, problematikë paraqesin edhe rastet e të miturve të cilët duhet të largohen nga familjet e tyre për shkak të mos kujdesit të duhur prindëror. Për raste të tilla nuk ka asnjë formë të strehimit familjar të specializuar, as shërbime të qëndrimit ditor e as rezidencial, të cilët do të mund të ofronin shërbime të specializuara e profesionale për rehabilitimin dhe reintegrimin e këtyre fëmijëve.

Themelimi i shërbimeve të specializuara për fëmijët në konflikt me ligjin nën moshën e përgjegjësisë penale, pritet të realizohet me zbatimin e Ligjit të ri për Shërbime Sociale dhe Familjare.

FËMIJËT NË KONFLIKT ME LIGJIN ME PËRGJEGJËSI PENALE, TË DREJTAT, PROGRAMET DHE SHËRBIMET PËR TA

Në vitin 2022, Shërbimi Sprovues i Kosovës ka përpunuar gjithsej 700 raste me të mitur, ku veprat më dominante kanë përfshirë lëndime, sulme, vjedhje e të tjera. Nga numri total i rasteve të pranuara, janë ekzekutuar 387 masa diversiteti, 245 masa edukative si dhe 31 raste me urdhër për punë në dobi të përgjithshme.

Zbatimi i legjislacionit ekzistues, zhvillimi dhe zbatimi i programeve për parandalim, mbrojtje dhe reintegrim të fëmijëve të rrezikuar, ende mbetet sfidë, përkundër avancimit të kornizës ligjore dhe politikave e reformave të vazhdueshme në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe drejtësisë për fëmijët në Kosovë.

Edhe pse Kodi i ri i Drejtësisë për të Mitur ka dyfishuar masat e diversitetit nga 8 në 16, e të cilat luajnë një rol vendimtar në parandalimin e fillimit të procedurave gjyqësore kundër të miturve dhe nxitjen e rehabilitimit dhe reintegrimit të tyre në shoqëri, zbatimi efektiv i masave të diversitetit ballafaqohet me pengesa dhe sfida të ndryshme. Për më tepër, në vitet e fundit vihet re një rënie e theksuar e zbatimit të këtyre masave në sistemin e drejtësisë për të mitur, duke ngritur shqetësime për pasojat e mundshme në jetën e të miturve dhe gjasat e tyre për rehabilitim të suksesshëm.

Gjatë vitit 2022, nga 2,341 kallëzime penale për të mitur me 3,639 persona, prokurorët e Drejtësisë për të Mitur të Prokurorive Themelore kanë zgjidhur 1,661 kallëzime penale me 2,477 persona të mitur. Konkretisht, për 389 ose 15.70% të personave të mitur, nuk ka filluar procedura përgatitore (parimi i oportunitetit). Për 29 ose 1.17% të personave të mitur është propozuar procedura e ndërmjetësimit. Për 182 ose 7.34% të personave të mitur është pushuar procedura përgatitore. Për 434 ose 17.54% të personave të mitur është hedhur kallëzimi penal. Për 207 ose 8.35%, të personave të mitur është propozuar të shqiptohet masa e diversitetit149. Nga këto të dhëna shihet se kemi një ulje drastike të masave të diversitetit të shqiptuara nga ana e prokurorisë, dhe më shqetësues është fakti që masat e reja të diversitetit nuk janë duke gjetur zbatim.

Ndërkohë, Shërbimi Korrektues i Kosovës, gjatë vitit 2022 ka pranuar 126 raste të fëmijëve në konflikt me ligjin, ku si vepra më dominante ishin 24 lëndime të lehta dhe të rënda trupore, 22 vjedhje dhe vjedhje e rëndë, 19 grabitje, 11 vrasje në tentativë dhe 10 dhunime, si dhe vepra të tjera. Nga 126 veprat penale të kryera nga fëmijët me përgjegjësi penale, në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan, janë ekzekutuar 25 masa edukuese korrektuese, 2 të dënuar me burgim për të mitur si dhe 99 të paraburgosur.

Të miturit në Qendrën Korrektuese për të Mitur në Lipjan ndjekin dy programe rehabilitimi, të cilat janë të pamjaftueshme për të përmbushur funksionet që një qendër korrektuese duhet të ketë dhe programet që ajo duhet të aplikojë me të mitur, sidomos ata nën masa edukuese korrektuese. Një mangësi tjetër e evidentuar në sferën e rehabilitimit dhe reintegrimit të këtyre të miturve, është mungesa e punës me familjen.

Një shqetësim tjetër i vazhdueshëm, është fakti që në mungesë të një qendre korrektuese për të miturat femra, ato vendosen në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan me të paraburgosurat/dënuarat e rritura. Në këtë qendër korrektuese nuk ka ambient të veçantë për të miturat e dënuara, të paraburgosura si dhe ato me masa edukuese korrektuese, pra vendosja e tyre bëhet në pavijone me të dënuarat dhe të paraburgosurat e moshës madhore.

Mungesa e stafit profesional, paraqet sfidë në menaxhimin e institucioneve korrektuese për Shërbimin Korrektues të Kosovës. Në total numri i stafit të Qendrën Korrektuese ishte 101, prej të cilëve 82 ishin staf korrektues, një punëtor social dhe një psikolog, 12 staf civil dhe pesë staf mbështetës. Ndërsa numri i stafit profesional dhe numri i stafit korrektues në Qendrën Edukative Korrektuese në total ishte 27, prej tyre 24 staf korrektues, një zyrtar për arsimim, një instruktor i IT dhe një mirëmbajtës.

Ndërsa, sistemi arsimor në këto institucione ka sfida si në organizim të procesit mësimor, ashtu edhe në cilësi të mësimdhënies e deri te mos-mbajtja e mësimit për të gjitha lëndët që janë në plan-program, duke rezultuar në nivel të dobët arsimor.

Rekomandime:

  • Themelimi i programeve të qëndrueshme për rehabilitimin dhe reintegrimin e të miturve;
  • Ndarja e të miturave nga femrat e rritura të dënuara, për të siguruar ambient të përshtatshëm për rehabilitimin dhe reintegrimin e të miturave me masa dhe atyre të dënuara;
  • Punësimi i stafit profesional si punëtorë social, psikologë, instruktorë profesional, këshillëdhënës, etj. Duhet të ketë burime të mjaftueshme njerëzore për të zbatuar programet individuale, programet rehabilituese dhe reintegruese, si dhe programet edukative.
  • Zhvillimi i programeve individuale të përshtatura me gjendjen, zhvillimin psikik dhe atë fizik të secilit të mitur, në pajtim me Kodin për Drejtësi për të Mitur. Programet duhet të hartohen nga ekipi multidisiplinar, ku përpos punëtorit social përgjegjës, kërkohet edhe përfshirja e psikologut, zyrtarit sprovues, edukatorit, të miturit, prindërve apo kujdestarëve dhe institucioneve të tjera relevante;
  • Monitorimi i masave të diversitetit; monitorimi i prokurorive dhe gjykatave përgjatë gjithë procesit, nga fillimi i rastit e deri në ekzekutim;
  • Rishikimi i programeve aktuale kurrikulare për drejtësi për të mitur dhe mbrojtje të fëmijëve të Akademisë së Kosovës për Drejtësi, me qëllim vlerësimin e nevojave për përmirësim/ndryshim të programeve aktuale;
  • Zhvillimi i programit të ri kurrikular të Akademisë së Drejtësisë me standardet ndërkombëtare dhe ato të Bashkimit Europian për të drejtat e fëmijëve dhe drejtësinë për të mitur, teknikat e intervistimit dhe komunikimin miqësor me fëmijët gjatë procedurave gjyqësore;
  • Organizimi i trajnimeve sistematike për ngritje të kapaciteteve të profesionistëve të sistemit të drejtësisë për punën me fëmijë. Trajnime lidhur me masat e reja të diversitetit të parapara sipas Kodit për Drejtësi për të Mitur;