Të adresohen me urgjencë cilësia në arsim dhe mbrojtja e fëmijëve në shkolla

Të adresohen me urgjencë cilësia në arsim dhe mbrojtja e fëmijëve në shkolla

Gjithsej në arsimin parauniversitar janë 327,676 nxënës/e (prej tyre 169.143 djem dhe 158,533 vajza.) Sipas të dhënave të MASHTI për vitin 2021-2022, numri i personelit arsimor është 27,915, prej tyre 23,033 janë mësimdhënës/e, 1,606 janë personel administrativ dhe 3,276 janë personel ndihmës. Numri i institucioneve edukative-arsimore publike në Kosovë është gjithsej 1,047 institucione arsimore.

Arsimi para universitar ballafaqohet me sfida dhe probleme të shumta, të cilat reflektojnë në cilësinë jo të mirë të arsimit në Kosovë. Programi për vlerësim ndërkombëtar të nxënësve ka rradhitur Kosovën në vendin e 76 në mesin e 80 shteteve, duke rezultuar me nivel të ulët të cilësisë në arsim. Ka shumë faktorë të cilët ndikojnë që Kosova të ketë cilësi të ulët në arsim, sikurse, cilësia e mësimdhënësve, shkolla të mbingarkuara, numri tejet i madh i nxënësve në klasa e sidomos në qytete, mungesa e infrastrukturës në shkolla, menaxhimi jo i mirë, politizimi i kuadrove arsimorë në shkolla, mos funksionimi i bashkëpunimit në mes të prindërve, mësimdhënësve dhe nxënësve, llogaridhënia e ulët, etj.

Edhe pse po bëhen përpjekje të vazhdueshme në drejtim të realizimit të konceptit të arsimit gjithëpërfshirës, ky proces është i shoqëruar me vështirësi të shumta duke qenë se Kosova ende është në proces të krijimit të kulturës e praktikës, e cila vlerësohet të jetë rrugë e gjatë dhe kërkon burime njerëzore dhe fonde te mjaftueshme. Në Kosovë janë bërë hapa në avancimin e politikave dhe legjislacionit duke tentuar përfshirjen e konceptit të gjithëpërfshirjes si pjesë integrale në të gjitha politikat. Megjithatë sa i përket zbatimit të politikave dhe zhvillimit të mekanizmave që sigurojnë gjithëpërfshirjen, ende ka shumë punë për të bërë. Ndër sfidat kryesore për realizimin e arsimit gjithëpërfshirës konsiderohen: trajnimi joadekuat i mësimdhënësve, mungesa e metodave të mësimdhënies gjithëpërfshirëse, mungesa e pajisjeve mbështetëse teknologjike, normat dhe qëndrimet shoqërore, kurrikula, faktorët socio-ekonomik dhe mungesa e burimeve njerëzore dhe fondeve.

Shkollat kanë mungesë të stafit profesional dhe mbështetës sikurse psikologë, pedagogë dhe asistentë për fëmijë me aftësi të kufizuar. Aktualisht në shkolla në nivel vendi janë rreth 200 psikologë dhe pedagogë. Marrë parasysh numrin e institucioneve arsimore prej 1,047 konstatohet se as çereku i shkollave nuk kanë psikologë/e të punësuar në shkollë. Nëtë shumtën e rasteve, një psikolog mbulon katër shkolla. Përderisa ka komuna që nuk kanë fare psikologë.

Sipas të dhënave zyrtare braktisja e shkollimit është e nje shkalle të ulët, por si fenomen konsiderohet më i pranishëm dhe shqetësues tek komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Gjendja vazhdon të mbetet e pakënaqshme për sa i përket arsimimit të komuniteteve Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Ndër arsyet kryesore për mos përfshirje në arsim janë: mosgatishmëria për t’u regjistruar në shkollë, braktisja e shkollës, përfshirja e fëmijëve në punë të rënda, mungesa e motivimit për arsimim dhe shkollim, si dhe mungesa e vetëdijesimit të prindërve dhe familjes për rëndësinë e arsimimit të fëmijëve të tyre.

Në përgjithësi vlerësohet se një nga sfidat kryesore të parandalimit të braktisjes së shkollës është mungesa e raportimit të bërë nga shkollat SPH (Sistem të Paralajmërimit të Hershëm). Po ashtu, ekipet për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes dhe mosregjistrimit në arsimin e obliguar në nivel shkolle nuk janë funksionale. Në disa komuna madje nuk janë themeluar fare, ndërsa ka raste që janë të themeluara vetëm formalisht, gjë që ndikon negativisht dhe pamundëson ndërmarrjen e masave parandaluese sa i përket braktisjes së shkollimit, sidomos për fëmijët e komuniteteve.

Në të gjitha rastet këto ekipe nuk merren me parandalimin dhe reagimin ndaj rasteve të mosregjistrimit.

Ndërkohë, qendrat mësimore ekzistuese të Organizuara nga organizatat joqeveritare për mësim shtesë shihen si institucione shpresëdhënëse për mbështetjen në arsim të fëmijëve nga komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian dhe parandalimin e braktisjes së shkollës. Mirëpo, këto qendrajanë duke u përballur me një sërë sfidash për shkak të mungesës së financimitdhe neglizhencës së përgjegjësive institucionale, duke rrezikuar edhe mbylljen e tyre. Aktualisht, Qeveria e Kosovës ndan vetëm 200,000 Euro për një vit shkollor për subvencionimin e qendrave mësimore përmes thirrjes publike për financimin e projekteve të organizatave joqeveritare që drejtojnë qendra mësimore që mbështesin nxënësit Rom, Ashkali dhe Egjiptian, si dhe nxënës të tjerë, që kontribuojnë në arritjen arsimore. Kjo shumë konsiderohet shumë e ulët për të mbuluar nevojat për funksionimin e qendrave mësimore duke patur parasysh se janë mbi 48 qendra mësimore të licencuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit. Çështje tjetër është paqartësia në zbatimin e udhëzimit administrativ nr. 19/2018 për themelimin dhe funksionimin e qendrave mësimore lidhurme licencimin dhe ri licencimin, institucionalizimin dhe financimin nga niveli komunal. Kjo është një pengesë e madhe në sigurimin e qëndrueshmërisë së këtyre qendrave mësimore të cilat për momentin menaxhohen ngaorganizatat joqeveritare. Sa i përket përfshirjes në sistem arsimor të fëmijëve që vijnë nga familjet me status të ulët socio-ekonomik, për vitin shkollor 2021/2022, 14,184 fëmijë, familjet e të cilëve janë me asistencë sociale, janë të përfshirë në institucionet e arsimit, 4,278 fëmijë janë me një prind dhe 132 fëmijë pa asnjërin prind. Mirëpo, nuk ka të dhëna nëse janë ndërmarrë masa nga institucionet për adresimin e nevojave të fëmijëve në arsim që vijnë nga familjet me status të ulët socio – ekonomik.

Shkollat në Kosovë nuk e plotësojnë në plotni konceptin e shkollave mike për fëmijë, kjo për shkak të mjedisit jo të sigurt dhe jo miqësor, infrastrukturës së papërshtatshme, qasjes së mësimdhënësve si dhe mungesës së bashkëpunimit të shëndetshëm në mes të nxënësve, mësimdhënësve, prindërve dhe komunitetit. Më qëllim të krijimit të një sistemi për parandalim, reagim dhe mbrojtje të fëmijëve, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjsië dhe Informacionit miratoi Politikën për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Në Kosovë koncepti i pjesëmarrjes së fëmijës është relativisht i ri. Ky koncept është përfshirë në kuadër të legjislacionit sikurse në kuadër të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Fëmijëve, rregulloreve dhe akteve të tjera nënligjore në nivel qendror dhe komunal. Edhe pse sipas legjislacionit në fuqi, roli i Këshillit të Nxënësve është të punojë në përmirësimin e mjedisit mësimor, dhe interesave që kanë të bëjnë me shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e nxënësve si dhe përfaqësimin në Këshillin Drejtues, fatkeqësisht praktikat tregojnë se në shumicën e rasteve këshillat e nxënësve, por edhe organizimet e tjera të fëmijëve janë të themeluara formalisht dhe përmes procedurave që nuk janë aspak demokratike, por përkundrazi shpeshherë të imponuara nga mësimdhënësit dhe menaxhmenti i shkollës. Këshillat e Nxënësve në vend që denjësisht të përfaqësojnë interesat e nxënësve të shkollës, më tepër janë në funksion të kontrollit të nxënësve nga mësimdhënësit dhe menaxhmenti i shkollë.

Rekomandime:

  • Krijimi i shkollave mike për fëmijë për të ofruar mjedise të shëndetshme, humane, miqësore e të sigurta, mbështetje nga mësimdhënësit si dhe mbi të gjitha përfshirje dhe pjesëmarrje aktive të vetë nxënësve;
  • Zbatimi i Politikës për Mbrojtjen e Fëmijëve në institucionet që punojnë me fëmijë, si mjet kyç për të siguruar ambient të sigurtë dhe mbrojtës për fëmijët;
  • Investimi në ngritjen e cilësisë së arsimit përmes ngritjes së kapaciteteve të mësimdhënësve, rishikimit të teksteve shkollore, digjitalizimit të arsimit dhe përshtatjes së nevojave të tregut të punës.
  • Themelimi apo funksionalizimi (sipas specifikave të komunës) të ekipeve për parandalim dhe reagim ndaj braktisjes dhe mos regjistrimit në arsimin e obliguar;
  • Funksionalizimi i Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm;
  • Punësimi i psikologëve dhe pedagogëve në shkolla;
  • Rritja e shumës së financimit për Qendrat Mësimore për të siguruar qëndrueshmërinë e shërbimeve të tyre.