KOMF apel institucioneve pas aktit të dhunës në ndeshjen e fëmijëve në Fushë Kosovë

KOMF apel institucioneve pas aktit të dhunës në ndeshjen e fëmijëve në Fushë Kosovë

Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, që përfaqëson 35 organizata joqeveritare, ka ndjekur me shqetësim dhe keqardhje pamjet e publikuara në media që dokumentojnë një ngjarje të rëndë të ndodhur gjatë një ndeshjeje futbolli mes dy klubeve të fëmijëve në Fushë Kosovë. Në këtë ngjarje, një i rritur ka hyrë në fushë dhe ka ushtruar dhunë fizike ndaj një fëmije.
KOMF dënon me forcë këtë akt të papranueshëm dhune, i cili jo vetëm që përbën shkelje të rëndë të të drejtave të fëmijës, por dëmton rëndë edhe sigurinë emocionale dhe psikologjike të fëmijëve të pranishëm. Dhuna ndaj fëmijëve është e pajustifikueshme, veçanërisht kur ndodh në hapësira që duhet të jenë të sigurta, edukative dhe nxitëse për zhvillimin e tyre. Ajo që e bën këtë ngjarje edhe më tronditëse, është fakti se sipas dëshmive të publikuara, sulmi ka pasur edhe motive racore.
KOMF i bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të hetojnë këtë ngjarje dhe të marrin masat e menjëhershme ndaj personit përgjegjës. Ndëshkimi i këtij akti është i domosdoshëm për të dhënë mesazhin se dhuna, racizmi dhe çdo formë tjetër e sjelljes së papërshtatshme nuk kanë vend në sport, e aq më pak në aktivitete ku marrin pjesë fëmijët.
KOMF inkurajon po ashtu të gjithë prindërit, trajnerët, klubet sportive dhe komunitetin më të gjerë që të bëjnë përpjekje për të garantuar një ambient të sigurt, të shëndetshëm dhe pozitiv për fëmijët. Sporti duhet të jetë një hapësirë ku fëmijët mësojnë për respektin, bashkëpunimin, përfshirjen dhe zhvillimin e aftësive, e jo një arenë ku ata përjetojnë dhunë dhe frikë.
KOMF apelon për bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve, komunitetit dhe organizatave për të ndërtuar një sistem të fortë të mbrojtjes për fëmijët në të gjitha hapësirat ku ata rriten, mësojnë dhe luajnë. KOMF shpreh gatishmërinë e plotë për të kontribuar në këtë drejtim dhe për të siguruar që ngjarje të tilla të mos përsëriten më. Fëmijët kanë të drejtë të jenë të sigurt gjithmonë dhe kudo.