19 Korrik 2019
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve – KOMF dhe Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ÇOHU, sot kanë dërguar kërkesë zyrtare tek Këshilli Prokurorial i Kosovës duke kërkuar hetim dhe llogaridhënie për veprimet e prokurorisë lidhur me rastin e fëmijës K. V nga Fushë Kosova.
Pas publikimit të vdekjes tragjike të fëmijës në Komunën e Fushë Kosovës, KOMF ka dërguar kërkesë zyrtare tek Prokuroria për të parë cili ka qenë reagimi institucional për këtë rast. Prokuroria ka theksuar se është në fazën e hetimeve dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të japë më shumë informacion.
Sipas raportimeve mediale, prokurori nuk kishte propozuar masën e paraburgimit, e cila përveçse do të pamundësonte ushtrimin e vazhdueshëm të abuzimit ndaj fëmijës do të ndihmonte edhe në zbardhjen e rastit. Prokurori nuk kishte kërkuar ekzaminimin mjeko-ligjor, kjo edhe përkundër raportimeve dhe dyshimeve për abuzim seksual me tashme të ndjerin K.V. Tutje i dyshuari ishte liruar në procedurë të rregullt.
Nisur nga faktet e mësipërme, KOMF dhe ÇOHU kanë kërkuar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës të vërtetohet nëse prokuroria ka përmbushur përgjegjësinë profesionale bazuar në dispozitat ligjore dhe etike, Kodin e Procedurës Penale, Kodin e Sjelljes Etike dhe Profesionale për Prokurorë.
Në përputhje me rregullat ligjore dhe etike të organeve ndjekëse, KOMF dhe ÇOHU kanë kërkuar që Këshilli Prokurorial të zhvillojë procedurë hetimi ndaj prokurorëve të rastit për të identifikuar nëse ka pasur lëshime profesionale dhe etike në rastin ndaj fëmijës K. V dhe të shqiptojë masat e nevojshme, në rast se ato vërtetohen.
No Comments