KOMF ka mbajtur punëtorinë e parë tematike për hartimin e Projekt Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare

KOMF ka mbajtur punëtorinë e parë tematike për hartimin e Projekt Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare

7 Tetor 2020

KOMF në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale kanë mbajtur punëtorinë e parë tematike për Projekt Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare.

Punëtoria e parë tematike trajtoi çështjet si më poshtë:

  • Integrimin e shërbimeve sociale me ato shëndetësore e arsimore;
  • Profilizimin dhe strukturën e Qendrave për Punë Sociale;
  • Akreditimin e programeve të trajnimeve për shërbime sociale si dhe licensimin e shërbimeve dhe subjekteve.

KOMF prezantoi Qëndrimin lidhur me Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare, përkatësisht propozimin e dytë për integrimin e shërbimeve sociale me shërbimet shëndetësore dhe arsimore.

KOMF prezantoi modelet e ndryshme të integrimit të shërbimeve sociale me sektorët e tjerë, sikurse integrimi përmes punësimit të profesionistëve punëtorë social në kuadër të institucioneve arsimore dhe shëndetësore apo përmes specializimit të një numri të caktuar të profesionistëve aktual shëndetësor dhe arsimor në fushën sociale përmes trajnimeve dhe ngritjes së kapaciteteve.

Alternativa e parë siguron shërbime më cilësore, por që mbart kosto më të lartë financiare në implementim.

Alternativa e dytë, nuk siguron cilësi sikurse alternativa e parë, por është më kosto efektive. Ligji për Shërbime Sociale me qëllim të integrimit të shërbimeve sociale në sektorët e tjerë, duhet të përcaktojë që punëtorët social të QPS të realizojnë vizita të rregullta sistematike në institucione parashkollore dhe shkolla për të bërë identifikim të hershëm dhe menaxhim të rasteve.

Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare duhet të parashohë integrimin e shërbimeve sociale me sektorin e shëndetësisë përmes realizimit të vizitave sistematike në shtëpi bashkë me profesionistët shëndetësor, për të njohur dhe evidentuar vulnerabilitetin e rasteve brenda komunës.

KOMF dhe MPMS u dakorduan që nenet përkatëse të cilat prekin integrimin e shërbimeve me sektorët e tjerë të përpunohen në mënyrë që të fuqizohet integrimi i shërbimeve. Duke qenë që integrimi i shërbimeve kërkon konsensus me sektorët e tjerë, rekomandohet pajtueshmëria mes sektorëve të përfshirë në nivel qendror para aprovimit të këtij ligji. Modelet e integrimit të shërbimeve të cilat do të aplikohen në kuadër të këtij ligji, duhet të diskutohen dhe të përcaktohen në bashkëpunim me të gjithë sektorët e mësipërm.

Përderisa në ditën e dytë u diskutua profilizimi dhe struktura e Qendrave për Punë Sociale, KOMF në bashkëpunim më Lidhjen e Qendrave për Punë Sociale dhe OFAP u dakorduan të organizojnë një takim të përbashkët me Qendrat për Punë Sociale të Kosovës me qëllim të ofrimit të propozimeve konkrete rreth strukturës së Qendrave për Punë Sociale në kuadër të Draft Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare.

Punëtoria përfshiu palët e interesit si profesionistë nga MPMS, Qendrat për Punë Sociale dhe organizatat anëtare të KOMF të përfshira drejtpërdrejt në çështjet e mirëqenies dhe shërbimeve sociale.

Ky aktivitet u mundësua në kuadër të projektit “Fuqizimi i Shërbimeve Sociale për Fëmijët dhe Familjet e Cenueshme”, financuar nga Ambasada e Zvicrrës në Kosovë dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF, si dhe projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP.

No Comments

Leave a Reply