KOMF lanson Indeksin për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0

KOMF lanson Indeksin për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0

18 Janar 2018

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në kuadër të projektit “Mbrojtja e të Drejtave të Fëmijëve në Kosovë” mbështetur nga Bashkimi Europian dhe menaxhuar nga zyra e BE-së në Kosovë, ka mbajtur konferencën për lansimin kombëtar të Indeksit për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0.

Në fjalën e hapjes morën pjesë: Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, Avokati i Popullit Hilmi Jashari dhe Shefi i Sektorit të Bashkëpunimit nga Zyra e BE-së në Kosovë, Luigi Brusa.

Indeksi është një mekanizëm i pavarur për matjen e reformave të çdo vendi në fushën e mbrojtjes së fëmijëve nëpërputhje me Konventën e Kombeve të Bashkuara mbi të Drejtat e Fëmijës (KDF). Indeksi për Mbrojtjen eFëmijës nxori në pah se si Kosova performon në më shumë se 987 indikatorë, të përshtatur nga lista zyrtare ezbatimit të KDF. Indeksi solli evidenca mbi zhvillimin e politikave, zbatimin e politikave, kapaciteteve në ofrim të shërbimeve, llogaridhënien në sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe nivelin e bashkëpunimit në mes tëaktorëve që punojnë për mbrojtjen e fëmijëve në Kosovë.

Rekomandimet për dimensionet e veprimit të qeverisë, të cilat mat Indeksi për Mbrojtjen e Fëmijës 2.0 janë:

Politikat dhe ligjet

  • Është një nevojë urgjente për ndryshimin e Kodit Penal për të parandaluar që personat e dënuar për vepra të dhunshme dhe abuzime seksuale të fëmijëve të punojnë më këta të fundit.
  • Ligjet e Kosovës duhet të bëjnë një hap më tutje drejt kontrollit të historikut penal për të gjithë personat që punojnë me fëmijë dhe/apo janë në kontakt me ta.
  • Ndëshkime shtesë në Kodin Penal për shkeljet që kanë të bëjnë me narkotikë të kryera nga të rritur ku fëmijëve u janë shitur ose dhënë narkotikë.
  • Të përcaktohet mosha minimale 18 vjeç për blerjen e alkoolit në të gjitha ambientet dhe Kodi Penal të parandalojë shitjen e substancave tretëse fëmijëve.
  • Ndryshimi i Ligjit për Familjen për të ndaluar adoptimin e fëmijëve nga personat që kanë qenë të përfshirë në akte të paligjshme gjatë marrjes ose sjelljes së një fëmije për qëllime adoptimi, si dhe përcaktimin e afateve ligjore për zgjidhjen e statusit të fëmijëve pa përkujdes prindëror.
  • Ndryshimi i Ligjit për Mbështetjen Materiale të Familjeve të Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara me qëllim të sigurimit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse edhe për fëmijët me aftësi të kufizuara të pjesshme.

Shërbimet

  • Të sigurohet qëndrueshmëria e shërbimeve të ofruara nga sektori publik dhe ai i OJQ-ve për fëmijët viktima të dhunës, shfrytëzimit dhe trafikimit.
  • Reformimi i sistemit dhe strukturës së strehimit familjar: a) Kategorizimi i shumave të pagesës për familjet strehuese bazuar në moshën, kategoritë dhe nevojat e fëmijëve; b) Kategorizimi i familjeve strehuese për nevoja të ndryshme të fëmijëve; c) Ofrimi i përfitimeve sociale dhe shëndetësore për të ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve që lidhen me kujdesin e një fëmije të strehuar d) Përfshirja e strehimit familjar si një profesion i njohur brenda skemës tatimore dhe pensionale.
  • Ndërtimi dhe zhvillimi i shërbimit të specializuar për adoptimin e fëmijëve, duke përfshirë ofrimin e këshillimeve profesionale nga QPS si dhe hartimin dhe zbatimin e programit të trajnimit për prindërit potencial adoptues. Monitorim periodik pas përfundimit të periudhës së provuese për të siguruar një ambient të qëndrueshëm dhe mbrojtës për fëmijën dhe prindërit adoptues.
  • Zhvillimi i shërbimeve bazë, themelimi i ekipeve mobile për shërbimet e arritjes te fëmijët në mënyrë që ti identifikojnë, të ofrojnë shërbime për ta, dhe të krijojnë plane individuale dhe alternativa për secilin prej tyre.
  • Krijimi, sponsorizimi dhe zhvillimi i shërbimeve në nivel shtetëror që mundësohen nga ofruesit shtetëror dhe privat, në përgjigje ndaj nevojave në rritje të fëmijëve viktima të abuzimit me substance narkotike dhe familjeve të tyre.
  • Ndarja e fëmijëve e të rriturve në objektet institucionale, dhe ato korrektuese për të siguruar një mjedis të sigurt dhe të përshtatshëm.
  • Rritja e personelit profesional të kualifikuar për të punuar me të mitur në konflitk me ligjin dhe sigurimi i qasjes së të miturve në sistemin arsimor jashtë Qendrës Korrektuese.
  • Garantimi i shërbimeve cilësore shëndetësore për fëmijët me aftësi të kufizuara nëpërmjet sigurimit të rregullt të barnave, materialeve shpenzuese dhe pajisjeve të domosdoshme për këta fëmijë.
  • Krijimi dhe sponsorizimi i shërbimeve sociale të bazuara në komunitet si qendrat e kujdesit ditor për trajtimin, rehabilitimin, dhe reintegrimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Rritja e investimeve financiare për gjithëpërfshirjen e fëmijëve me aftësi të kufizuara. Rritja e stafit profesional dhe kapaciteteve të tyre në arsimin gjithëpërfshirës.
  • Hapja e një linje të re telefonike pa pagesë, të dizajnuar me dhe për fëmijët që pranon telefonata dhe ofron mbështetje, këshillim dhe krijim të rrjetit për fëmijët.

Llogaridhënia

  • Krijimi i mekanizmave të jashtëm dhe të pavarur të inspektimit për të vlerësuar cilësinë e ofrimit të shërbimeve dhe administrimin e licencimit.
  • Procesi i licencimit të detyrueshëm për shërbimet publike të ofruara nga QPS ose autoritetet e tjera publike.
  • Hulumtimet dhe grumbullimi i të dhënave duhet të konsolidohen për të përcaktuar numrin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, fëmijët e përfshirë në punë dhe fëmijët viktima të abuzimit me narkotikë.

Koordinimi

  • Operacionalizimi dhe forcimi i mekanizmave të koordinimit në nivel qendror si: Këshilli për Mbrojtje dhe Drejtësi për Fëmijë, Komiteti i Kosovës për Parandalimin dhe Eleminimin e Punës së Fëmijëve dhe Autoriteti Kombëtar kundër Trafikimit të Qenieve Njerëzore.
  • Shkrirja e mekanizmave koordinues për mbrojtjen e fëmijëve në nivel lokal, në një mekanizëm.

Kapaciteti

  • Miratimi i standardeve financiare dhe krijimi i formulës së financimit për shërbime sociale për mbështetje të duhur të shërbimeve dhe në harmoni me standardet e cilësisë.
  • Sigurimi i financimit të qëndrueshëm dhe adekuat për shërbimet sociale në Kosovë përmes ndryshimit të Ligjit Nr. 03/L-049 për Financat e Pushtetit Lokal dhe krijimin e një Granti Specifik për Shërbime Sociale.

No Comments

Leave a Reply