KOMF, OFAP dhe SOS Fshatrat shënuan Ditën Ndërkombëtare të Familjes

KOMF, OFAP dhe SOS Fshatrat shënuan Ditën Ndërkombëtare të Familjes

Familja Strehuese Fatmire dhe Islam Musliu, SOS Nëna Eli Hasani dhe përfaqësues nga KOMF, Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAP dhe SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë shënuan Ditën Ndërkombëtare të Familjes së bashku me Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

15 maji – Dita Ndërkombëtare e Familjes këtë vit i dedikohet strehimit familjar si formë e mbrojtjes së fëmijëve dhe shënohet me moton: Hape Derën, Çele Zemrën, Bëhu Familje Strehuese!

Përgjatë këtij takimi, familja strehuese dhe SOS nëna ndanë përvojat dhe sfidat në kujdesin dhe rritjen e fëmijëve pa kujdes prindëror, por edhe kënaqësinë dhe përmbushjen emocionale që ju jep ky mision i tyre fisnik. Poashtu, ata bënë thirrje që të rritet numri i familjeve strehuese për fëmijët pa kujdes prindëror, sidomos në komunat ku nuk ka familje strehuese si dhe të rritet mbështetja ndaj familjeve strehuese.

Kryesuesja dhe deputetët e Komisionit shprehën vlerësimin e lartë për punën shumë të çmuar të familjeve strehuese dhe sos familjeve dhe u zotuan që do të bëjnë më të mirën me Projekt Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare për të garantuar një kornizë ligjore që fuqizon mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror dhe të gjithë qytetarëve në nevojë.