KOMF publikon Raportin e Monitorimit “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale”

KOMF publikon Raportin e Monitorimit “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale”

1 Qershor 2020

Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka mbajtur sot një konferencë për media për të publikuar Raportin e Monitorimit “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale” mbi procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale në Kosovë.

Hapja e konferencës u bë nga Donjeta Kelmendi nga KOMF, e cila uroi të gjithë fëmijët për një jetë dinjitoze dhe garantim të plotë të të drejtave të tyre. Kelmendi theksoi se edhe pse mbrojtja e të drejtave të fëmijëve është e garantuar me ligj për të gjithë fëmijët dhe qytetarët në nevojë, jo të gjithë kanë qasje dhe përfitojnë nga shërbimet.

Pas fjalës hyrëse, Bukurezë Surdulli nga KOMF prezantoi të gjeturat dhe rekomandimet e Raportit të Monitorimit mbi Procesin e Decentralizimit të Shërbimeve Sociale për vitin 2019, i cili u realizua në shtatë komuna të Republikës së Kosovës.

Raporti i monitorimit të decentralizimit të shërbimeve sociale vërteton se procesi i decentralizimit të shërbimeve sociale nuk është përmbyllur edhe pas 10 vitesh. Arsyeja kryesore e mos zbatimit të këtij procesi është mungesa e vullnetit politik si nga ana e nivelit qendror, ashtu edhe nga ana e nivelit komunal. Faktorë të tjerë që kanë penguar zbatimin e plotë të decentralizimit janë mungesa e financimit të qëndrueshëm të shërbimeve sociale, mungesa e një skeme të kontraktimit për blerjen e shërbimeve sociale nga sektori joqeveritar, kapacitetet e kufizuara të komunave për menaxhim të shërbimeve sociale, llogaridhënia e ulët, paqartësitë në ndarjen e përgjegjësive mes nivelit qendror dhe komunal, paqartësitë në ndarjen e funksioneve të monitorimit dhe inspektimit të shërbimeve sociale etj.

Rekomandimet kryesore të dala nga ky raport janë:

  • Prioritizimi i zbatimit të decentralizimit të shërbimeve sociale në nivelin qendror dhe komunal
  • Krijimi i Grantit Specifik për Shërbime Sociale në kuadër të Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, për të siguruar financim të qëndrueshëm dhe të drejtë për shërbimet sociale dhe familjare
  • Përcaktimi i rolit dhe ndarja e përgjegjësive të institucioneve të nivelit qendror dhe komunal në kuadër të Ligjit të ri për Shërbime Sociale dhe Familjare
  • Ndarja e funksionit të inspektimit dhe monitorimit në kuadër të Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare
  • Monitorimi dhe vlerësimi i shërbimeve sociale nga sektori joqeveritar/privat
  • Licencimi i shërbimeve sociale të ofruara nga sektori publik
  • Krijimi i një skeme të qëndrueshme nga komunat për kontraktimin e shërbimeve sociale dhe familjare nga sektori joqeveritar
  • Fuqizimi i komunave dhe QPS-ve për planifikim dhe menaxhim të buxhetit për shërbime sociale
  • Rritja e numrit dhe profilizimi i zyrtarëve të shërbimeve sociale në QPS për të respektuar standardet minimale të MPMS për numrin e zyrtarëve në raport me numrin e përfituesve
  • Krijimi i një njësie trajnimi në kuadër të MPMS, e cila do të merret me trajnime dhe aftësim të vazhdueshëm të zyrtarëve të shërbimeve sociale.

Pas prezantimit të të gjeturave kryesore të Raportit të Monitorimit, KOMF lansoi fushatën me karakter informues dhe vetëdijesues “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale”, e cila ka për qëllim që të informojë qytetarët për decentralizimin e shërbimeve sociale në Kosovë dhe të promovojë implementimin e plotë të këtij procesi.

Ky aktivitet u mundësua në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, i cili implementohet nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP.

No Comments

Leave a Reply