KOMF thirrje institucioneve për tu angazhuar për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës

KOMF thirrje institucioneve për tu angazhuar për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës

17 Korrik 2020

KOMF, me rastin e hyrjes në fuqi të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, i bën thirrje Qeverisë dhe komunave që të angazhohen që ky ligj të gjejë zbatimin e nevojshëm dhe të garantojë të drejtat dhe mbrojtjen e të gjithë fëmijëve në Kosovë. KOMF bën thirrje që zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës të marrë vëmendje dhe investim të menjëhershëm nga të gjithë sektorët dhe po ashtu të kthehet në prioritet për institucionet që punojnë në mbrojtje të fëmijëve.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës i hartuar për herë të parë në Kosovë, hyn në fuqi sot më 17 Korrik 2020, duke shënuar një hap shumë të rëndësishëm për Kosovën drejt përmbushjes së zotimit për të mbështetur e garantuar të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve.

Hyrja në fuqi e këtij ligji sot, e gjen vendin në një situatë dhe gjendje edhe më kritike si pasojë e pandemisë Covid-19, e cila mbi të gjitha ka rënduar gjendjen e fëmijëve. Prej disa muajsh tashmë, shumë fëmijë kanë mbetur pa marrë shërbimet dhe mbrojtjen e nevojshme që ndihmojnë në zhvillimin e tyre. Në gjendje shumë të rëndë vazhdojnë të jenë fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët e përfshirë në punë të rënda. Në anën tjetër izolimi i zgjatur dhe kushtet e rënda të jetesës kanë ndikuar në rritjen e përdorimit të dhunës ndaj fëmijëve dhe në përgjithësi rritjen e dhunës në familje.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka për qëllim të mbrojë fëmijën nga të gjitha format e dhunës, abuzimit, apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin dhe zhvillimin e fëmijës. Ky ligj ka për qëllim të sigurojë përgjegjësitë e prindërve, familjes, organit të kujdestarisë, shoqërisë dhe të shtetit në kujdesin, mbrojtjen dhe zhvillimin e fëmijës, si edhe ngritjen e sistemit të integruar e funksional të mbrojtjes së fëmijës.

Duke konsideruar gjendjen aktuale të fëmijëve, mungesën e shërbimeve adekuate dhe nevojën e menjëhershme për ndërhyrje për garantim të mbrojtjes së tyre, KOMF apelon edhe një herë ndaj gjithë institucioneve qendrore e lokale për të bërë prioritet absolut mbrojtjen e fëmijëve dhe për të ndërmarrë në mënyrë të menjëhershme të gjithë hapat e nevojshëm për zbatim rigoroz dhe tërësor të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës!

Organizatat anëtare të KOMF mbeten të përkushtuara të mbështesin institucionet në hartimin e akteve nënligjore dhe në zbatimin e ligjit. KOMF poashtu bazuar në misionin e tij do të monitorojë procesin e zbatimit të Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.

No Comments

Leave a Reply