21 Tetor 2020
Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka përmbyllur fushatën vetëdijesuese një-javore lidhur me prioritizimin dhe fuqizimin e shërbimeve sociale dhe familjare.
Qëllimi i kësaj fushate ishte vetëdijesimi i mëtejshëm dhe mobilizimi i vendimmarrësve për ndërhyrje emergjente në sigurimin e shërbimeve sociale për qytetarët në nevojë, gjendja e të cilëve është rënduar edhe më tepër si pasojë e pandemisë Covid–19.
Duke qenë në linjë me qëllimin e fushatës, KOMF ka angazhuar akterët kryesorë të përfshirë në sigurimin e mirëqenies sociale për të përçuar mesazhe rreth punës së tyre për sigurimin e shërbimeve sociale dhe familjare. Përmes kësaj fushate, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale si dhe kryetarë të disa komunave të Republikës së Kosovës shprehën përkushtimin dhe vullnetin e tyre për investim në shërbime sociale cilësore për të gjithë qytetarët. Edhe përfaqësues nga shoqëria civile dhe agjencitë ndërkombëtare në Kosovë, përmes mesazheve bënë thirrje për mobilizim të vendimmarrësve për investimin në shërbime sociale.
Me qëllim të rritjes së vëmendjes së institucioneve për ndërhyrje emergjente në ofrimin e shërbimeve për qytetarët në nevojë, KOMF ka vendosur për një javë afër ndërtesës së qeverisë, një simbol që paraqet përgjegjësinë dhe detyrimin institucional për sigurim të mirëqenies sociale për të gjithë.
KOMF shpreh mirënjohje për të gjithë personalitetet të cilët ishin pjesë e kësaj fushate.
Falenderime të përzemërta për: z. Agim Aliu, z. Ardian Gjini, z. Bashkim Ramosaj, z. Besim Ilazi, znj. Ibe Krasniqi, z. Imri Ahmeti, z. Mytaher Haskuka, znj. Nezahat Ramadani Salihu, z. Qëndron Kastrati, z. Petrit Tahiri, z. Skender Reçica, z. Shpend Ahmeti, z. Thomas Kolly dhe z. Xhafer Gashi.
No Comments