Shkallë e lartë e dhunës ndaj fëmijëve

Shkallë e lartë e dhunës ndaj fëmijëve

Dhuna dhe ndëshkimi i fëmijëve në Kosovë mbetet një normë sociale e aplikuar nga prindërit si një mjet edukimi dhe disiplinimi për fëmijët. Konstatohet nevojë e madhe për krijimin e programeve dhe shërbimeve për prindërim të mirë dhe parandalimin e dhunës në familje dhe institucione. Edhe pse Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka paraparë që Qeveria, sipas propozimit të Ministrisë për Arsim, nxjerr Udhëzim Administrativ, siguron programe, të cilat promovojnë edukimin, rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me pasojat degraduese të ndëshkimit trupor dhe programe prindërore që promovojnë mënyrat jo të dhunshme të disiplinimit në familje dhe shkollë, ky udhëzim administrativ nuk është miratuar. Vendi ynë vazhdon të mos ketë programe apo shërbime për mbështetjen e prindërve në mirërritjen e fëmijëve apo prindërimin pozitiv e si rrjedhojë institucionet publike nuk kanë pasur të dhëna për numrin e prindërve që kanë përfituar nga programet për prindërim pozitiv. Përjashtim bëjnë disa iniciativa të organizatave të shoqërisë civile të cilat kanë ofruar trajnime për prindërimin pozitiv si dhe kanë ofruar këshillim dhe shërbime në familje me qëllim fuqizimin e familjes.

Aktualisht nuk ka institucione të dedikuara apo shërbime të veçanta për fuqizimin e prindërve në mirërritjen e fëmijëve. Situata mund të përmirësohet me zbatimin e Ligjit të ri për Shërbime Sociale dhe Familjare, ku parashihet themelimi i shërbimeve parandaluese përfshirë shërbimet për prindërim të mirë si dhe hapja e këshillimoreve në komuna, të cilat ndër të tjera do të kenë për qëllim fuqizimin e prindërve për mirërritjen e fëmijëve dhe parandalimin e formave të ndëshkimit ndaj fëmijës.

Problematikë vazhdon të mbetet identifikimi dhe raportimi apo vetë raportimi i fëmijëve në situata të dhunës si hap i parë për mbrojtjen e fëmijëve. Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka paraparë themelimin e linjës telefonike falas për ofrimin e ndihmës fëmijëve që kanë nevojë të këshillohen për të drejtat e tyre, si dhe për të raportuar rastet e dhunës, abuzimit, neglizhimit dhe trafikimit. Megjithatë, edhe pse Linja Telefonike është inicuar si proces nga Zyra për Qeverisje të Mirë, Zyra e Kryeministrit, Linja Telefonike nuk ka arritur të themelohet.

Legjislacioni i obligon të gjithë zyrtarët dhe profesionistët që kanë për detyrë të kujdesen për fëmijët në sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe drejtësisë, të raportojnë dyshimet për dhunë në Qendrën për Punë Sociale respektive ose tek autoritetet policore të Kosovës. Përkundër obligimit ligjor, referimet nga këto institucione mbeten në shkallë të ulët sidomos në rastet e dhunës në shkolla. Sa i përket dhunës në shkolla, sipas Policisë së Kosovës, ka pasur rritje të madhe të incidenteve të dhunës në shkolla, krahasuar me vitet paraprake. Gjatë vitit 2022 janë raportuar gjithsej 592 raste të incidenteve në shkolla dhe përreth tyre Protokolli për parandalimin dhe referimin e dhunës në institucionet e arsimit para-universitar, është duke u zbatuar pjesërisht në mungesë të mbikëqyrjes. Kjo dëshmohet edhe nga numri shumë i vogël i rasteve të dhunës të raportuara në Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim – SMIA, ku në vitin shkollor 2021/22 janë raportuar vetëm 39 raste të dhunës në shkolla. Ndërkaq për vitin shkollor 2022/23 janë raportuar vetëm 44 raste.Të dhënat nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit tregojnë se raportimet në Sistemin e Menaxhimit të Informatave në Arsim – SMIA janë të vogla dhe numri i shkollave raportuese është i vogël, duke konsideruar që nuk raportohen të gjitha rastet.

Në shuma shkolla të Kosovës është duke u praktikuar programi i ndërmjetësimit mes bashkëmoshatarëve, i cili ka dhënë efekte pozitive në parandalimin e dhunës në shkolla dhe rritjen e raportimit. Deri në vitin 2022, 130 shkolla në 19 komuna kanë praktikuar programin e ndërmjetësimit.

Shërbimet për mbrojtjen e fëmijëve viktima të dhunës janë të qasshme në kuadër të Qendrave për Punë Sociale dhe strehimoreve. Gjatë vitit 2022, Qendrat për Punë Sociale kanë menaxhuar 523 raste të fëmijëve, viktima të dhunës në familje të përfshirë në mënyrë direkte ose indirekte. Një pjesë e këtyre rasteve kanë përfituar nga shërbimet e ofruara nga 10 strehimoret për mbrojtjen nga dhuna të drejtuara nga sektori joqeveritar. 875 raste të dhunës në familje janë strehuar, trajtuar dhe kanë marrë shërbime rehabilitimi në strehimore (nëna dhe fëmijë). Gjatë strehimit dhe akomodimit, viktimave u janë ofruar shërbimet mjekësore, farmaceutike, psikologjike dhe sociale.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës parasheh nxjerrjen e një udhëzimi administrativ për themelimin e Shtëpive për Mbrojtjen e Fëmijës, megjithatë ky udhëzim nuk është nxjerrë dhe shtëpitë nuk janë themeluar.

Viteve të fundit ka pasur shqetësime rreth trajtimit nga institucionet të rasteve të veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve sikurse dhunimi, sulmi seksual, degradimi i integritetit seksual dhe keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi. Veprat penale kundër integritetit seksual të fëmijëve janë duke ndodhur në ambiente si familje, komunitet, madje edhe në institucionet e mandatuara për mbrojtje të fëmijëve, si për shembull në institucione edukative, shkolla, etj. Shoqëria civile ka shprehur indinjatën e thellë lidhur me krijimin e kulturës së mos ndëshkimit të kryerësve të veprave të krimeve seksuale kundrejt fëmijëve, e cila ka ndikuar në stimulimin e një mjedisi social të pasigurt, ku shkelja e të drejtave themelore të fëmijëve, cenimi i integritetit të tyre fizik, moral dhe seksual bëhet fenomen i zakonshëm e jo përjashtim.

Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka përcaktuar që Këshilli Gjyqësor i Kosovës duhet të nxjerrë akt nënligjor për të përcaktuar rregullat dhe procedurat për mbajtjen e bazës së të dhënave me ADN-të e personave të dënuar për veprat penale kundër integritetit seksual. Megjithatë, kjo nuk është realizuar.

Në Kosovë, aktualisht kemi një sistem të fragmentuar të mbrojtjes së fëmijëve. Për pasojë shërbimet në mes të sektorit të arsimit, mirëqenies dhe shëndetësisë nuk janë të integruara. Ndërhyrjet dhe shërbimet e institucioneve janë të izoluara, të pakoordinuara dhe nuk plotësojnë një ndër parimet bazë për trajtimin e dhunës, atë të qasjes multidisiplinare.

Rekomandime:

  • Zbatimi i legjislacionit për mbrojtjen e fëmijëve, me fokus zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës dhe Protokollit për Parandalimin dhe Referimin e Dhunës në Shkolla;
  • Themelimi dhe ofrimi i programeve dhe shërbimeve për prindërim të mirë, fuqizim të familjes dhe parandalim të dhunës në familje;
  • Themelimi dhe aplikimi i programeve të dedikuara për fëmijët prej moshës së fëmijërisë së hershme. Programet duhet të kenë për qëllim njohjen e situatave dhe formave të dhunës, mos pranimin e dhunës, raportimin e rasteve të tilla, pranimin e diversitetit për parandalimin e bullizmit, etj;
  • Realizimi i aktiviteteve për ngritjen e kapaciteteve dhe ndërgjegjësimin e mësimdhënësve dhe stafit arsimor në lidhje me parandalimin e dhunës dhe trajtimin e rasteve të saj;
  • Rritja e raportimit të rasteve të dhunës së fëmijëve të identifikuara nga institucionet publike;
  • Themelimi i linjës telefonike falas për mbrojtjen e fëmijës, i paraparë në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, për të lehtësuar dhe rritur raportimin e rasteve të dhunës;
  • Themelimi i shtëpive për mbrojtjen e fëmijëve;
  • Krijimi i ambientit miqësor dhe përkrahës brenda shkollës, në mënyrë që problemi i dhunës të mos trajtohet vetëm me qasje reaktive, por të ketë koherencë të plotë në zhvillimin e aktiviteteve që kanë të bëjnë me parandalim, reagim dhe raportim;
  • Sigurimi i financimit të qëndrueshëm për shërbimet sociale rezidenciale të ofruara nga strehimoret që strehojnë fëmijët viktima të dhunës, si dhe organizatat që ofrojnë shërbime sociale në familje dhe komunitet me qëllim parandalimin dhe mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna;
  • Krijimi i data bazës së personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe rrjedhimisht ndalimin e qasjes së tyre tek fëmijët, sipas modeleve ekzistuese në hapësirën Europiane, duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës;
  • Inspektimi i trajtimit nga institucionet shtetërore të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, përfshirë trajtimin e kryerësve të veprave penale që kanë të bëjnë me dhunë seksuale, gjatë pesë viteve të fundit për të identifikuar problemet sistemore në trajtimin e rasteve të dhunës.