Kosova vazhdon të mbetet vendi me përfshirjen më të ulët të fëmijëve në edukimin parashkollor krahasuar me vendet në rajon. Vetëm 15% e fëmijëve të moshës 3-4 vjeç ndjekin programe të edukimit në fëmijërinë e hershme, të cilët zakonisht janë fëmijë që jetojnë në ekonomitë familjare më të pasura, ndërkaq pjesa dërrmuese e fëmijëve në vitet e para mbeten në mjediset në shtëpi, kryesisht me nënat e tyre shpesh të papuna si kujdestare parësore dhe pa ndonjë mbështetje në ambientet familjare të fëmijëve, jashtë mjediseve institucionale. Shkaku kryesor për një pjesëmarrje kaq të ulët është numri i vogël i rrjetit të institucioneve parashkollore me kosto të përballueshme dhe vetëdija e përgjithshme për format tradicionale të edukimit brenda familjes.
Në nivel të Kosovës gjithsej janë 54 institucione parashkollore/çerdhe në sektorin publik. Institucionet parashkollore janë të fokusuara në zona urbane përderisa 10 komuna nuk kanë asnjë institucion parashkollor publik. Zonat rurale janë pothuajse të përjashtuara nga qasja në shërbime për zhvillim në fëmijëri të hershme. Ndërkaq, 172 institucione parashkollore private në Kosovë janë të licencuara nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Sa i përket institucioneve parashkollore private të cilat operojnë pa licencë nuk dihet numri i saktë. Fëmijët që vijnë nga grupet e margjinalizuara edhe pse janë të liruar nga pagesa, shumë shpesh nuk përfshihen për shkak të kufizimit të numrit të fëmijëve. Nga total 4,937 fëmijë në arsimin parashkollor publik, vetëm 98 fëmijë i përkasin komuniteteve të tjera jo shumicë, ndërkaq 4,839 janë Shqiptarë.
Shërbimet për zhvillimin në fëmijërinë e hershme nuk janë të integruara mes sektorëve të arsimit, shëndetësisë dhe atë të mirëqenies sociale. Shërbimet janë të izoluara, të paintegruara dhe të pakoordinuara – familja endet dhe shkon nëpër institucione të ndryshme për të marrë shërbimet. Shërbimet janë kryesisht të natyrës kuruese dhe mungojnë shërbimet parandaluese.
Një nismë drejt ndërhyrjes në fëmijëri të hershme përmes shërbimeve në familje është edhe modeli i vizitave sistematike në shtëpi, i cili realizohet nga profesionistët shëndetësor të kujdesit parësor në kuadër të Qendrave të Mjekësive Familjare. Një model i tillë do të ishte i përshtatshëm edhe për shërbimet në fëmijëri të hershme për të ofruar mbështetje për prindërit dhe kujdestarët
Kujdesi dhe edukimi në fëmijërinë e hershme janë edhe më kritik tek fëmijët me aftësi të kufizuara. Shërbimet për identifikim dhe ndërhyrje të hershme mungojnë.
Në Kosovë po ashtu ka mungesë të programeve alternative për mbështetjen e prindërve, shërbime për ndërhyrje të hershme në ambient familjar, mungesë të qendrave ditore, qendrave mësimore, qendrave në komunitet, grupeve mbështetëse të prindërve, etj.
Një numër i madh i kopshteve private punojnë pa licencë dhe mungon sistemi i monitorimit dhe inspektimit. Institucionet e qëndrimit ditor kanë të përfshirë fëmijë të moshës para fillore, mirëpo inspektimi i bërë në baza periodike bëhet vetëm në kopshte. Po ashtu, nëse kopshtet janë të regjistruara si organizata joqeveritare atëherë ato nuk hyjnë nën fushëveprimin e inspektoratit të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Hap pozitiv është miratimi i Ligjit për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme. Ndër risitë që sjell ky ligj është vendosja e bazës ligjore për koordinimin ndër sektorial dhe integrimin e shërbimeve në mes të sektorëve të arsimit, shëndetësisë dhe mirëqenies sociale në fëmijërinë e hershme. Përderisa, procesi i hartimit të Kurrikulës për Edukimin në Fëmijërinë e Hershme edhe pse i nisur vite më parë, nuk ka arritur të miratohet.
Rekomandime:
Recent Comments