KOMF dhe Zyra për Qeverisje të Mirë në kuadër të Zyrës së Kryeministrit, mbajtën sot punëtorinë dy-ditore në nivel qendror për implementimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës.
Qëllimi i kësaj punëtorie është sensibilizimi, mobilizimi dhe fuqizimi i kapaciteteve të profesionistëve përgjegjës për zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës, duke mundësuar ofrimin e shërbimeve cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët. Pjesëmarrës në punëtori ishin përfaqësues nga Zyra Ligjore e Kryeministrit, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Informacionit, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, Ministria e Drejtësisë, Gjykata Supreme, Policia e Kosovës, Institucioni i Avokatit të Popullit, Komisioni i Pavarur për Media dhe organizatat anëtare të KOMF të cilat punojnë në nivel nacional. Punëtoria u udhëhoq nga eksperti vendor, Ardian Klaiqi.
Kjo punëtori u mundësua në kuadër të projektit “Fuqizimi i akterëve të shërbimeve sociale për të ofruar shërbime cilësore dhe të qëndrueshme për fëmijët dhe familjet e cenueshme në Kosovë”, mbështetur nga Unicef Kosovo Programme në partneritet me USAID Kosovo.
Kjo është punëtoria e parë e realizuar nga KOMF, për të vazhduar tutje me 12 punëtori të tjera dy ditore në nivel lokal, të cilat parashihet të mbulojnë komunat e Kosovës. Këto punëtori synojnë promovimin e Ligjit për Mbrojtje të Fëmijës, të hyrë në fuqi prej dy vitesh dhe njohjen e secilit profesionist me përgjegjësitë që dalin nga ligji, bazuar në mandatin e tyre institucional. Përmes tyre do të përfitojnë mbi 500 profesionistë të mandatuar për të punuar në mbrojtje të fëmijëve nga Drejtoritë e ndryshme Komunale, Qendrat për Punë Sociale, Shkollat, Qendrat e Mjekësisë Familjare, Stacionet Policore, Gjykatat, Prokuroritë dhe Organizatat Jo Qeveritare.
No Comments