Një ndër objektivat e KOMF në kuadër të planifikimit strategjik është fuqizimi i Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve me organizatat anëtare, si aktor kyç për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës.
Fuqizimi i vazhdueshëm Koalicionit të OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve dhe organizatave anëtare, si aktor kyç për mbrojtjen e të drejtave të fëmijës, ka për qëllim ngritjen e kapaciteteve në mënyrë të vazhdueshme të KOMF dhe anëtarëve të tij, në mënyrë që të sigurohet zhvillimi i qëndrueshëm i koalicionit në përmbushjen e misionit të tij. Për këtë qëllim, një ndër veprimet e KOMF do të jetë zhvillimi i një “Programi për ngritjen e kapaciteteve”, i cili do të shërbejë si program për secilin anëtar që ka nevojë, për ngritjen e kapaciteteve përmes trajnimeve të vazhdueshme. Pako e programit për ngritjen e kapaciteteve do të përmbajë module, instrumente, ushtrime, mjete monitorimi dhe vlerësimi, etj. për: Qeverisjen e mirë dhe menaxhimin e organizatës; Ngritjen e fondeve; Krijimin dhe zbatimin e politikës dhe procedurave të brendshme për mbrojtjen e fëmijës; Avokimin, Komunikimin dhe Vullnetarizmin. Krahas programit dhe trajnimeve të vazhdueshme, parashihen të mbahen edhe sesione mentorimi “on job training” me organizatat anëtare që shprehin nevojën, në fushat e mësipërme. Fuqizimi i vazhdueshëm përmes fushave të mësipërme, përbën domosdoshmëri dhe është parakusht i funksionimit të qëndrueshëm.
Objektivë tjetër e KOMF është rritja e llogaridhënies në sistemin e mbrojtjes së fëmijës përmes monitorimit, avokimit dhe mobilizimit të akterëve relevant, që për qëllim monitorimin nga afër të situatës së fëmijëve në Kosovë. Në këtë formë, KOMF do të vazhdojë të veprojë në mandatin e “watchdog”, duke kërkuar llogaridhënie, vëmendje dhe investim tek fëmijët, duke kontribuar kështu në fuqizimin e sistemit të mbrojtjes së fëmijëve dhe edhe zhvillimin e qeverisjes së mirë mes institucioneve publike. Aktualisht, KOMF është i vetmi trup që monitoron zbatimin e legjislacionit në fushën e mbrojtjes së fëmijëve. Në përgjithësi në Kosovë ka një zbrazëti mes legjislacionit në fuqi dhe zbatimit të tij. Është më se i domosdoshëm monitorimi i vazhdueshëm për të dokumentuar nivelin dhe sfidat në zbatimin e legjislacionit.
Për më tepër, të gjeturat nga monitorimi ushqejnë iniciativat dhe veprimet avokuese që KOMF ndërmerr drejt vendimmarrësve dhe akterëve të tjerë relevant, për përmirësimin e situatës së fëmijëve në Kosovë. Konkretisht, KOMF do të monitorojë zbatimin e Ligjit për Mbrojtjen e Fëmijës për vitin 2023, i cili parasheh mbrojtjen e fëmijës nga të gjitha format e abuzimit apo ndonjë formë tjetër që vë në rrezik jetën, sigurinë, shëndetin, edukimin, arsimimin dhe zhvillimin e fëmijës.
Këto ndërhyrje dhe veprime të rëndësishme të KOMF, do të mundësohen me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria Civile për Vlera të Përbashkët në Ballkanin Perëndimor” i cili zbatohet nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD) në bashkëpunim me Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM),dhe Qendrën për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe mbështetet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë (NMFA).
Recent Comments