KOMF shpreh shqetësimin lidhur me ndërprerjen e furnizimit me teste rapide për detektim të drogave në organizëm

KOMF shpreh shqetësimin lidhur me ndërprerjen e furnizimit me teste rapide për detektim të drogave në organizëm

Deri në vitin 2020, Ministria e Shëndetësisë ka bërë furnizimin me teste rapide për dedektim të drogave në organizëm siç janë testi për Opiate dhe për Metadon, mjete këto që kanë shërbyer si instrument biologjik për vlerësim të gjendjes së drogave në organizëm dhe trajtim të personave përdorues të substancave narkotike ne veçanti për persona të cilët janë duke u trajtuar në programin mbajtës me metadon. Këto teste poashtu janë shitur në depo farmaceutike në Kosovë.

Në vitin 2021, Ministria e Shëndetësisë ka ndërprerë furnizimin me teste rapide.

Sipas organizatës Labyrinth, e cila është e vetmja organizatë në Kosovë e licensuar për ofrim të shërbimeve për fëmijët dhe të rriturit përdorues të substancave narkotike, ndërprerja e testeve rapide ka ndikuar drejtpërdrejt në uljen e rasteve për trajtim si dhe ka vështirësuar ecurinë terapeutike të klientëve, ku shumë prej tyre detyrohen të dalin jashtë shtetit për të kërkuar ndihmë.

Fëmijët dhe të rriturit përdorues të drogave nuk mund të fillojnë trajtimin pa ju bërë testin rapid përmes të cilit bëhet diagnostifikimi i drogave në organizëm.

Të gjitha shtetet në Europë lejojnë përdorimin e testeve rapide për dedektimin e drogave në organizëm. Këto teste janë lehtësisht të qasshme, ato mund të blihen edhe në farmaci dhe të përdoren në shtëpi, si dhe mund të administrohen nga organizatat apo institucionet që trajtojnë klientët me programet rehabilituese.

Andaj, KOMF konsideron që Ministria e Shëndetësisë duhet urgjentisht të shqyrtojë këtë çështje, të mundësojë furnizimin me teste rapide për detektim të drogave në organizëm, në mënyrë që fëmijëve dhe të rriturve përdorues të drogave të ju mundësohet qasje e duhur në shërbimet trajtuese në Kosovë.

16 vjeç është mosha mesatare e personave kur nisin të përdorin droga! Viteve të fundit, numri i përgjithshëm i përdoruesve ka kaluar për herë të parë shifrën prej 30,000, ndërkohë që fëmijët dhe adoleshentët përdorues vazhdojnë të bëjnë pjesë çdo vit e më shumë në këtë shifër.