KOMF vijon mbështetjen për hartimin e Draft Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare

KOMF vijon mbështetjen për hartimin e Draft Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare

11 Mars 2021

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve KOMF në bashkëpunim me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale po mban punëtorinë dy ditore mbi Draft Ligjin për Shërbime Sociale dhe Familjare i cili aktualisht është në fazën e konsultimeve publike.

Në këtë punëtori dy ditore u trajtuan komentet dhe rekomandimet specifike të ofruara nga organizatat anëtare të KOMF lidhur me strehimin familjar, strehimin rezidencial, si dhe shërbimet në familje dhe shërbimeve në komunitet për fëmijët e cenueshëm.

Në ditën e parë të punëtorisë u diskutua mbi format e mbrojtjes së fëmijës. Përfaqësuesit nga OJQ -të anëtare të KOMF kaluan nëpër të gjitha nenet përkatëse të projektligjit dhe ndanë shqetësimet e tyre si dhe dhanë rekomandimet përkatëse se si mund të përmirësohen këto nene në mënyrë që të sigurohet një sistem më i mirë mbrojtjeje kur bëhet fjalë për fëmijët pa kujdes prindëror të cilët vendosen në forma alternative të mbrojtjes.

Ndërsa gjatë ditës së dytë temat e diskutuara ishin shërbimet e përditshme të ofruara për grupet e cenueshme të fëmijëve. Ky diskutim u përqëndrua në shërbimet e ofruara në familje dhe shërbimet e ofruara në kuadër të qendrave të kujdesit ditor.

Njësoj si në ditën e parë, grupi kaloi nëpër të gjitha nenet e projektligjit që lidheshin me shërbimet e përditshme për fëmijët në nevojë, duke trajtuar ndryshimet dhe pse ato ndryshime ishin të nevojshme.

Në fund, pjesëmarrësit u pajtuan me përfaqësuesit e MPMS që të dorëzojnë të gjitha komentet e diskutuara gjatë dy ditëve në Ministri, dhe pas fazës së konsultimit publik, të zhvillohet një takim i ngushtë i grupit në menyrë që të inkorporojnë rekomandimet kryesore në projektligj.

Pjesëmarrës në këtë punëtori ishin përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, përfaqësues nga organizatat anëtare të KOMF si dhe ekspertë ligjorë.

Ky aktivitet mundësohet në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, financuar nga Bashkimi Europian, menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe implementuar nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP.

No Comments

Leave a Reply