Letër drejt Ambasadës së Austrisë në Shkup: Vizë për nënën

Letër drejt Ambasadës së Austrisë në Shkup: Vizë për nënën

26 Tetor 2021

KOMF ka dërguar sot një shkresë drejt Ambasadorit të Ambasadës së Austrisë në Shkup, Georg Woutsas, ku ka shprehur shqetësimin ndaj rastit të nënës Merita Hoxha Maksuti, e cila për shkak të refuzimit të vizës nga po e njëjta Ambasadë, nuk ka mundësi të ribashkohet me vajzën e saj që është duke marrë trajtim mjekësor në Austri.

KOMF ka kërkuar nga Ambasada e Austrisë në Shkup që të rishqyrtojë dhe prioritizojë aplikimin për vizë të zonjës Hoxha Maksuti, në mënyrë që të mundësohet ribashkimi i nënës sa më parë me vajzën e saj në këtë kohë kritike.

KOMF konsideron se çdo fëmijë duhet të jetë me prindërit e tij/saj, veçanërisht në rastet kur fëmija trajtohet nga sëmundje të rënda.

Shteti i Austrisë ka ratifikuar Konventën për të Drejtat e Fëmijës, e cila përcakton se në të gjitha veprimet dhe vendimet në lidhje me fëmijët, qofshin ato të ndërmarra nga institucionet publike ose private të mirëqenies sociale, gjykatat, autoritetet administrative ose organet legjislative, duhet të merret për bazë interesi më i mirë i fëmijës. Shtetet Palë sigurojnë që një fëmijë të mos ndahet nga prindërit e tij/saj. Bazuar në Konventë, aplikimet e një fëmije ose prindëve të tij/saj për të hyrë ose larguar nga një Shtet Palë me qëllim të ribashkimit familjar do të trajtohen nga Shtetet Palë në një mënyrë pozitive, njerëzore dhe të shpejtë.

Këto dhe të tjera, KOMF i ka adresuar drejt Ambasadës së Austrisë në Shkup, ku ka kopjuar në email edhe Ambasadën e Austrisë në Prishtinë, Presidenten e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla.

No Comments

Leave a Reply