Tryezë diskutimi “Edukimi Medial/Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”

Tryezë diskutimi “Edukimi Medial/Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”

25 Tetor 2021

KOMF morri pjesë në panelin e tryezës së diskutimit me temë“: “Edukimi Medial / Përmbajtjet e papërshtatshme për fëmijë”, të organizuar nga Komisioni i Pavarur i Mediave – KPM , Departamenti i Gazetarisë – UP, Fakulteti i Filologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Tryezën e moderoi Prof. Alban Zeneli nga Departamenti i Gazetarisë në UP. Në panelin e diskutimit ishin pjesëmarrës: Violeta Hyseni Kelmendi – Anëtare e KPM-së, Faruk Rexhaj – Zëvendëskryeshef Ekzekutive në KPM,  Muhamet Jahiri – Shef i Departamentit të Gazetarisë, Remzie Shahini Hoxhaj – Profesoreshë në Departamentin e Gazetarisë, Donejta Kelmendi – Drejtoreshë Ekzekutive e KOMF, Vjollca Shala – Nënkryetare SBASHK dhe Jeton Demi – Kryetar i Këshillit të Prindërve në Prishtinë.

Qëllimi i tryezës ishte që në kuadër të Javës Globale për EMI, akteret të mund të paraqesin pikëpamjet e veta lidhur me edukimin medial si dhe të diskutohet progresi i shënuar në këtë fushë. Pjesëmarrësit në panelin e diskutimit paraqitën para të pranishmëve në pika kryesore pikëpamjet e tyre në lidhje me edukimin medial, duke vazhduar më pas me një diskutim interaktiv nga pjesëmarrësit dhe pyetje-përgjigjet për panelin.

Donjeta Kelmendi tha që shqetësuese mbetet raportimi i rasteve të fëmijëve të cenueshëm në media, ku kemi raste që gjatë raportimit nuk respektohet baza ligjore dhe etika.

Në fund të diskutimeve të kësaj tryeze, nga pjesëmarrësit janë nxjerrë disa konkluzione lidhur me mbrojtjen e fëmijëve nga përmbajtjet e papërshtatshme në media:

  • Inicimi i një fushate të përgjithshme vetëdijesuese për mbrojtjen e fëmijëve në media;
  • Planifikimi dhe inicimi i një fushate informuese për prindërit lidhur me të drejtat e fëmijëve si dhe mbrojtjen e tyre në media;
  • Realizmi i kërkesës që lënda e “Edukimi për Median” të futet si lëndë obligative në kurrikulën shkollore;
  • Televizioni Publik (RTK) duhet të ofrojë më shumë hapësirë programore me përmbajtje rreth edukimit medial tek pjesa për fëmijë, e me fokus të veçantë tek mbrojtja e fëmijëve nga përmbajtjet e dëmshme programore;
  • Ministria e Arsimit Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit si dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit duhet të aktivizohen në organizimin e punëtorive, seminareve, trajnimeve për mbrojtjen e  fëmijëve në media.

KOMF, KPM dhe Departamenti i Gazetarisë do të vazhdojnë bashkëpunimin me qëllim të përmirësimit të raportimeve në rastet kur përfshihen fëmijët dhe mbrojtjen e interesit më të mirë të tyre.

No Comments

Leave a Reply