Letër e hapur drejt Kryeministrit, Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministres së Drejtësisë: Shërbimet sociale rrezikojnë të mbyllen në Janar 2024!

Letër e hapur drejt Kryeministrit, Ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministres së Drejtësisë: Shërbimet sociale rrezikojnë të mbyllen në Janar 2024!

Koalicioni i Organizatave për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, i cili përfaqëson 35 organizata jo qeveritare, ka adresuar një letër të hapur tek Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve dhe Ministrja e Drejtësisë, duke kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e mbylljes së shërbimeve sociale për fëmijët e cenueshëm.

Konkretisht, KOMF ka kërkuar sigurim të financimit për ofrimin e shërbimeve sociale, të cilat janë jetike për fëmijët e cenueshëm, shërbime të cilat si pasojë e mos mbështetjes financiare nga Qeveria rrezikojnë të mbyllen nga 1 Janar 2024.

Shërbimet rezidenciale dhe shërbimet ditore për fëmijët pa përkujdesje prindërore, fëmijët viktima të abuzimit dhe keqtrajtimit, fëmijët viktima të dhunës në familje dhe viktimat e trafikimit (niveli i ulët dhe i mesëm i rrezikut), fëmijët me aftësi të kufizuara, etj., financohen pjesërisht nga Ministria Drejtësisë përmes thirrjeve publike çdo vit. Nga viti 2016, ka zbrazëtira kohore mes thirrjeve/kontratave për mbështetje të këtyre shërbimeve duke lënë pa përkrahje financiare këto shërbime çdo fillim vit. Institucionet jo-publike të licencuar për ofrimin e shërbimeve sociale janë mbështetur financiarisht nga Ministria e Drejtësisë për ofrimin e shërbimeve. Mbështetja financiare nga Ministria e Drejtësisë ka qenë për periudhën Prill 2023 – Janar 2024 dhe si rrjedhojë shërbimet posedojnë financimin vetëm deri në Janar 2024. Në mungesë të fondeve për mbështetje të mëtutjeshme shërbimet rrezikojnë të mbyllen.

Ndërprerja e ofrimit të këtyre shërbimeve, qoftë edhe përkohësisht do të lërë pa strehë fëmijët viktima të akomoduar aktualisht në strehimore dhe po ashtu do të mbyllë derën për rastet e reja që mund të jenë në nevojë për shërbime rezidenciale, duke shkelur kështu të drejtën themelore të fëmijëve për mbrojtje.

Me situatë të njëjtë, do të përballen edhe ofruesit e shërbimeve që ofrojnë shërbime në baza ditore për fëmijët e cenueshëm përmes qendrave ditore. Në mungesë të shërbimeve sociale, fëmijët e cenueshëm, e sidomos fëmijët më aftësi të kufizuara do të mbesin të mbyllur në shtëpi dhe do të pësojnë regres në zhvillimin e tyre fizik, psikologjik dhe emocional. Kjo situatë, do të rëndojë edhe gjendjen ekonomike dhe emocionale të familjeve të fëmijëve të cenueshëm, të cilët do të detyrohen që të marrin shërbime me pagesë, në bazë të mundësive të tyre financiare. Krahas mbylljes së shërbimeve, do të pasojë edhe mbyllja e qendrave të specializuara për shërbime ditore, të cilat janë të pajisura me mjete pune, infrastrukturë, staf profesional dhe të licencuar. Poashtu, ky vakum kohor, rrezikon humbjen e stafit profesional në të cilin është investuar ndër vite.

KOMF përmes letrës ka kërkuar:

• Ndërmarrjen e masave të menjëhershme për parandalimin e mbylljes së shërbimeve sociale.

• Ndarjen e një fondi emergjent për periudhën kohore Janar – Prill 2024, deri në hapjen e shpalljes së rregullt nga Ministria e Drejtësisë (fondi emergjent është praktikë që është ndjekur vitin e kaluar).

Për të zgjidhur këtë problematikë të përsëritur ndër vite, KOMF ka kërkuar ndërmarrjen e veprimeve për krijimin e një skeme të qëndrueshme për kontraktimin e shërbimeve sociale dhe familjare. Kontraktimi duhet të bëhet në emër të blerjes së shërbimeve për ofrimin e shërbimeve sociale për periudha tre vjeçare në mënyrë që të sigurohet financim i qëndrueshëm dhe të eliminohen zbrazëtitë kohore.

Prandaj, KOMF dhe organizatat anëtare, kanë apeluar ndërmarrjen e masave të menjëhershme lidhur me situatën e paraqitur më lartë.

Action for Mothers and Children, Asociacioni për Trajnime Sociale, Hulumtime dhe Avokim, Balkan Sunflowers Kosova, Childproof/CIPOF, CONCORDIA Kosovo, Down Syndrome Kosova, Education Comes First, Handikos Ferizaj, Handikos Gjakovë, OJQ Hareja, Network of Peace Movement – NOPM, Nevo Koncepti, OPFAKKOS, Shoqata “Autizmi” – Prishtinë, Organizata Rinore Akti, Organizata për fëmijët pa kujdes prindëror – OFAP, PLAY International Kosovo, Civil Rights Program – Kosovo (CRP/K), Public Organization for Local Initiatives and Supports – POLIS, Qendra e Kujdesit Ditor – PEMA, KRCT – Kosova Rehabilitation Centre for Torture Victims, Qendra Labyrinth, Kosova Education Center – KEC, Qendra për Mbrojtjen e Viktimave dhe Parandalimin e Trafikimit të qenieve njerëzore, Qendra për Studime të Avancuara – FIT, Qendra Sociale – Edukative SOS Kopshti , PEN – Peer Educators Network , Save the Children Kosova/o, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, HANDIKOS, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë – PRAK, Shpresa dhe Shtëpi për Fëmijët Kosovë – SDSF, Terre des hommes – Kosovo, The Ideas Partnership dhe Voice of Roma, Ashkali and Egyptians.