Mbahet takimi i rregullt i projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”

Mbahet takimi i rregullt i projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”

10 Shkurt 2021

Ekipi i projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim” ka mbajtur takimin e rregullt dy-ditor, ku ka diskutuar lidhur ma aktivitetet, arritjet dhe sfidat në zbatimin e këtij projekti.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi rreth aktiviteteve, të arriturave dhe sfidave gjatë vitit 2020, aq më tepër në rrethanat e shkaktuara nga pandemia Covid-19. Gjithashtu ky takim kishte si qëllim edhe diskutimin e përbashkët rreth planifikimit të aktiviteteve të ardhshme të projektit përgjatë vitit 2021 me qëllim të arritjes së objektivave të projektit.

Në ditën e parë të këtij takimi u diskutua mbi aktivitetet kryesore që janë realizuar gjatë vitit 2020 në kuadër të projektit, duke u fokusuar në arritjet e deritanishme për dy projektligjet, projektligji për Shërbime Sociale dhe Familjare dhe projektligji për Financat e Pushtetit Lokal, duke ndarë mbështetjen që ka ofruar projekti në hartimin e tyre dhe fazën aktuale në të cilën ndodhen proceset.

Më pas në takim u diskutua rreth Raportit mbi ndikimin e decentralizimit të shërbimeve sociale, raportit vjetor të monitorimit i cili është përgatitur gjatë vitit 2020 dhe do të publikohet në 2021, mbështetjes dhe bashkëpunimit me partnerët si Asociacioni i Komunave të Kosovës, Lidhja e Qendrave për Punë Sociale të Kosovës, Avokati i Popullit dhe organizatat nga shoqëria civile, fuqizimit të anëtarëve dhe partnerëve të KOMF përmes hartimit të Strategjisë së Komunikimit si dhe rreth eventit të fundvitit për ndarjen e çmimeve vjetore në fushën e gazetarisë dhe mirënjohjeve vjetore “Mik i Fëmijëve” për vitin 2020.

Së fundmi ekipi diskutoi edhe rreth planifikimeve të përbashkëta për aktivitetet e parashikuara për vitin 2021, ku edhe hartoi planin e aktiviteteve për këtë vit.

“Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, është projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, i cili implementohet nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP.

No Comments

Leave a Reply