Propozimet për mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror miratohen në kuadër të Projekt Kodit Civil

Propozimet për mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror miratohen në kuadër të Projekt Kodit Civil

Propozim nenet lidhur me avancimin e formave te mbrojtjes së fëmijëve pa kujdes prindëror të cilat janë adresuar nga KOMF bashkë më organizatat anëtare SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë, Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror OFAP si dhe partnerët Zyrën e UNICEF në Kosovë dhe Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, janë miratuar nga Qeveria në Projekt Kodin Civil.  Konkretisht, në Projekt Kodin Civil propozimet kryesore të miratuara të cilat pritet të ndikojnë në avancimin e mbrojtjes së fëmijëve pa kujdes prindëror janë:

  • Vendosja për herë të parë e formës së re të mbrojtjes: Jetesa e Pavarur e Mbikëqyrur – që nënkupton ofrimin e mbështetjes për fëmijët pa kujdes prindëror pas moshës 18 vjeçare për të fuqizuar shkathtësitë e tyre për jetë të pavarur. Kjo do të thotë që në rastet kur për fëmijët pa kujdes prindëror të cilët janë në strehim familjar apo rezidencial nuk gjindet zgjidhje pas arritjes së moshës madhore, përkrahja institucionale do të vazhdojë. Organi i Kujdestarisë do të vlerësojë dhe përcaktojë fëmijët dhe të rinjtë që do të përfitojnë nga kjo formë e mbrojtjes. Përkrahja mund të vazhdohet për një periudhë të caktuar, për rastet specifike, pas një vlerësimi të nevojave nga organi i kujdestarisë, por jo më gjatë se deri në moshën 26 vjeçare, përfshirë edhe rastet kur ata janë duke vijuar shkollimin.  
  • Propozimet tjera shumë të rëndësishme të miratuara janë rreth shkurtimit të afateve ligjore në procedurat e adoptimit, konkretisht, për rastet kur prindi ka braktis fëmijën dhe nuk dihet vendqëndrimi i tij. Poashtu, propozimet synojnë avancimin e strehimit familjar dhe rezidencial.  

Duke pas parasysh risitë që sjell Projekt Kodi Civil dhe ndryshimet e pritura në jetët e fëmijëve pa kujdes prindëror, KOMF bashkë me partnerët bën thirrje që ky projekt kod të trajtohet me prioritet edhe nga Kuvendi i Kosovës me qëllim të miratimit dhe hyrjes në fuqi.

No Comments

Leave a Reply