Vaksinohu, mbroj fëmijët!

Vaksinohu, mbroj fëmijët!

Jemi dëshmitarë që rastet pozitive me Covid-19 po rriten në mënyrë të shpejtë javëve të fundit dhe tashmë po përballemi me një valë të re të infeksionit.

Sipas ekspertëve të shëndetësisë, vala e re e infektimeve me Covid-19, në të shumtën e rasteve varianti Delta, po atakon edhe personat e moshës së re. Të dhënat e fundit nga Ministria e Shëndetësisë tregojnë që 99% e rezultateve të fundit të rasteve me Covid-19 janë të variantit Delta.

Në bazë të raportimeve zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, varianti Delta nuk po kursen tanimë as fëmijët. Vetëm në dy ditët e fundit, numri i fëmijëve të moshës 00 – 10 vjeç të infektuar me virusin Covid-19 ishte 76, ndërkaq numri i të infektuarve të moshës 10 – 19 ishte 373. Përderisa numri i përgjithshëm i rasteve pozitive ditën e djeshme ishte 2110.

Këto shifra alarmante duhet të jenë shkas që prindërit, qytetarët dhe institucionet të kthejnë vëmendjen e tyre dhe të mobilizohen në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, me theks mbrojtjen e fëmijëve nga Covid–19.

Në anën tjetër, Klinika e Pediatrisë e Qendrës Klinike Universitare është duke u ballafaquar me një numër të madh të fëmijëve që po kërkojnë trajtim për shkak të viruseve të tjerë dhe por edhe Covid-19. Gjatë javës së kaluar janë hospitalizuar pesë fëmijë të infektuar me Covid-19, ndërsa 11 të tjerë kanë kërkuar vetëm shërbim ambulator.

Prandaj, përveç masave tashmë të njohura (bartja e maskave, mbajtja e distancës dhe mbajtja e higjienës), KOMF kërkon nga të gjithë prindërit, qytetarët që të vaksinohen për të mbrojtur veten dhe çka është më e rëndësishmja, fëmijët por edhe shëndetin publik në përgjithësi!

Vala e re e infektimeve mund të thellohet edhe më shumë me fillimin e vitit të ri shkollor në muajin Shtator 2021. Një nga parakushtet për fillimin e vitit të ri shkollor duhet të jetë vaksinimi i personelit mësimor dhe stafit përcjellës.

KOMF kërkon nga mësimdhënësit që të vaksinohen për shkak të ruajtjes së shëndetit të përgjithshëm, me theks të veçantë shëndetit të fëmijëve. KOMF kërkon nga MASHT-i dhe DKA-të t’i inkurajojnë mësimdhënësit të vaksinohen.

KOMF kërkon nga Ministria e Shëndetësisë që krahas vaksinimit të rregullt në qendrat e vaksinimit,  të ofrohen mundësi për shërbime mobile të vaksinimit të mësimdhënësve në shkolla apo në zona më të thella.

Ekziston një shqetësim i vazhdueshëm në publik për sigurinë e vaksinimit kundër COVID-19 gjatë shtatzënisë dhe për nënat gjidhënëse. Lidhur me këtë, të dhënat e fundit (Gusht 2021) nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjes (CDC), tregojnë se vaksina është e sigurt dhe efektive për gratë shtatzëna dhe nënat gjidhënëse. Të dhënat demonstrojnë se përfitimet e marrjes së një vaksine kundër COVID-19 për gratë shtatzëna janë shumë më të mëdha se sa çdo rrezik i njohur ose i mundshëm.

Sipas një hulumtimi seroepidemiologjik të realizuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, vetëm 38.8% e popullatës ka IgG pozitive, duke konstatuar se akoma nuk është arritur imuniteti kolektiv. Andaj masa më efikase dhe më e lirë është vaksinimi masovik i qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Vaksinimi është përgjegjësi e secilit, për të mbrojtur jo vetëm veten, por edhe të tjerët. Prandaj, KOMF bën thirrje për të gjithë qytetarët, me theks të veçantë prindërit, stafi arsimor dhe stafi shëndetësor të vaksinohen për të mbrojtur fëmijët, veten dhe shëndetin publik.

No Comments

Leave a Reply