Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës përcakton mbrojtjen e fëmijës pa kujdes prindëror përmes formave themelore të mbrojtjes juridike dhe familjare: kujdestaria, strehimi familjar, strehimi rezidencial, adoptimi, dhe jetesa e pavarur e mbikëqyrur. Gjatë vitit 2022 në kujdestari janë vendosur gjithsej 579 fëmijë pa kujdes prindëror. Ndërkaq 12 fëmijë foshnje janë braktisur. Vlen të përmendet që krahasuar me vitet e kaluara, konstatohet rënie e numrit të fëmijëve të braktisur. Në strehim familjar brenda farefisit ishin të vendosur 500 fëmijë pa kujdes prindëror. Përderisa, numri i fëmijëve në strehim familjar jashtë farefisit apo në familje strehuese ishte 79 fëmijë pa kujdes prindëror.
Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës parasheh komponentën e parandalimit, por në praktikë, shërbimet për parandalimin e braktisjes apo ndarjes së fëmijës nga prindërit mungojnë në masë të madhe për shkak të burimeve të pamjaftueshme. Për pasojë, parandalimi nuk ka shumë gjasa të jetë element thelbësor i punës së Qendrave për Punë Sociale. Disa prej shërbimeve për parandalimin e braktisjes dhe fuqizimin e familjes kryesisht ofrohen nga sektori joqeveritar, megjithatë këto shërbime nuk mbulojnë të gjitha nevojat.
Shërbimet kryesore të disponueshme që ofrohen nga Qendrat për Punë Sociale për fëmijët pa kujdes prindëror janë caktimi i menaxherit të rastit dhe kujdestarit ligjor, hartimi i planit individual, strehimi i fëmijës në strehim familjar apo në strehim rezidencial, vizitat monitoruese dhe realizimi i procedurave për ribashkimin me familjen biologjike apo procedurave të adoptimit. Vizitat monitoruese nuk mund të realizohen me rregull nga Qendrat për Punë Sociale për shkak të ngarkesës shumë të madhe me raste dhe pamundësisë për të arritur tek të gjithë fëmijët. Ndërsa, shërbimet sikurse rehabilitimi, mbrojtja, reintegrimi, fuqizimi, aftësimi profesional dhe pavarësimi ofrohen nga ofruesit e shërbimeve sociale të organizatave të shoqërisë civile varësisht në cilën formë të kujdesit vendoset fëmija, në familje strehuese, SOS familje/ kujdes alternativ, në strehimore, apo në shtëpi me bazë në komunitet.
Ndër sfidat kryesore në mbrojtjen e fëmijëve pa kujdes prindëror mbetet numri i vogël i familjeve strehuese. Aktualisht janë 38 familje strehuese që kujdesen për fëmijët pa kujdes prindëror. Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës përcakton që çdo komunë duhet të ketë së paku tri familje strehuese për fëmijët pa përkujdesje prindërore. Megjithatë familjet strehuese nuk janë të shtrira në gjithë territorin e Kosovës, aktualisht ekzistojnë vetëm në 17 komuna. Poashtu, familjet strehuese egzistuese nuk janë të specializuara dhe licensuara sipas nevojave apo kategorive të fëmijëve.
Sfidë mbetet edhe vonesa në zgjidhjen e statusit të fëmijëve pa kujdes prindëror dhe për pasojë mos dhënia e mundësisë për adoptim për këta fëmijë. Kryesisht kjo prek fëmijët e moshës nga 3 deri në 18 vjeç të cilët e humbin kujdesin prindëror, vendosen në strehim familjar apo rezidencial për një kohë shumë të gjatë dhe nuk konsiderohen për adoptim. Kosova është ndër vendet e vetme në Europën Juglindore me numrin më të vogël të rasteve të adoptimit të fëmijëve mbi moshën 3 vjeç për numër të popullsisë. Po ashtu, rol në mungesën e adoptimit të kësaj grupmoshe luan dhe hezitimi i vetë familjeve potenciale adoptuese për shkak të kërkesave të tyre për të adoptuar fëmijë nën moshën 3 vjeçare. Sfidë tjetër është edhe mungesa e interesimit për adoptimin e fëmijëve pa kujdes prindëror me aftësi të kufizuara.
Edhe pse Ligji për Mbrojtjen e Fëmijës ka paraparë si formë të re Jetesën e Pavarur të Mbikëqyrur që nënkupton ofrimin e shërbimeve dhe mbështetjes për fëmijët pa kujdes prindëror pas moshës 18 vjeçare deri në moshën 26 vjeç, kjo formë e mbrojtjes nuk ka gjetur akoma zbatim. Si pasojë, në pamundësi që fëmija të qëndrojë në familjen strehuese pas moshës 18 vjeçare, Organi i Kujdestarisë është i detyruar të ndërpresë kujdesin dhe shërbimet, apo në rastet kur fëmija është me aftësi të kufizuara, ta vendosë fëmijën në Institutin në Shtime (strehim rezidencial), gjë që ndikon negativisht në mirëqenien e përgjithshme të fëmijës.
Megjithatë duhet theksuar që krahasuar me fushat tjera, strehimi familjar për fëmijët pa kujdes prindëror konsiderohet ndër fushat ku ka pasur më së shumti progres në vitet e fundit, në aspektin e zhvillimit të legjislacionit, rritjen e investimeve dhe ngritjen e kapaciteteve. Ligji i ri për Shërbime Sociale dhe Familjare për herë të parë i njeh familjet strehuese si ofrues të shërbimeve sociale dhe hap rrugën për përfshirjen e tyre në skemën pensionale. Një hap tjetër pozitiv ishte vendimi i ndërmarrë nga Ministrja e Drejtësisë për rritjen e pagesave për fëmijët në strehim familjar.
Një hap tjetër pozitiv është zhvillimi i programit ndërkombëtar PRIDE, i dedikuar për ngritjen e kapaciteteve për familjet strehuese, për trajnim të familjeve potenciale strehuese dhe prindërve potencial adoptues. Kjo qasje pritet të fuqizojë cilësinë e shërbimeve të kujdesit të strehimit familjar dhe adoptimit.
Rekomandime:
Recent Comments