Qëndrimi i KOMF për abuzimin seksual ndaj fëmijëve

Qëndrimi i KOMF për abuzimin seksual ndaj fëmijëve

KOMF vlerëson se rastet e abuzimit seksual janë shprehje e neglizhimit ndër vite dhe mosveprimit të duhur të institucioneve në krijimin e masave për parandalimin e abuzimeve, e performancës së dobët të sistemit të mbrojtjes së fëmijëve në trajtimin e rasteve ku fëmijët janë viktima të veprave kundër integritetit seksual, si dhe e kulturës së mos ndëshkimit të merituar të kryerësve të veprave të krimeve seksuale kundrejt fëmijëve.
Kjo gjendje shoqëruar edhe me apatinë institucionale në themelimin e shërbimeve thelbësore për fuqizimin e familjeve dhe parandalimin e rasteve të abuzimit seksual ndaj fëmijëve, ka stimuluar një mjedis social të pasigurt e të rrezikshëm, ku raste të tilla të veprave kundër integritetit seksual të fëmijëve sikurse dhunimi, sulmi seksual, degradimi i integritetit seksual dhe keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi, vazhdojnë të rriten.
Abuzimi seksual ndaj fëmijëve si forma më e rëndë e abuzimit, ka pasoja shkatërruese dhe afatgjata për mirëqenien emocionale, psikologjike dhe fizike të tyre.
KOMF kërkon:
• Themelimin dhe zhvillimin e shërbimeve dhe programeve parandaluese për fuqizimin e familjeve, parandalimin e abuzimit seksual të fëmijëve;
• Themelimin e linjës telefonike falas për mbrojtjen e fëmijës, i paraparë në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës, për të rritur raportimin e rasteve të abuzimit dhe trafikimit të fëmijëve;
• Ofrimin urgjent të trajtimit të specializuar dhe mbrojtjes adekuate për të gjithë fëmijët viktima të abuzimit seksual;
• Inspektimin e trajtimit nga institucionet shtetërore të rasteve të dhunës seksuale ndaj fëmijëve, gjatë pesë viteve të fundit;
• Ashpërsimin e dënimeve që shqiptohen ndaj kryerësve të veprave penale kundër integritetit seksual brenda limiteve të përcaktuara me Kodin Penal;
• Krijimin e databazës së personave të dënuar për vepra penale kundër integritetit seksual të fëmijëve dhe rrjedhimisht ndalimin e qasjes së tyre tek fëmijët, duke u bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës;
• Përgjegjësi penale nga të gjithë profesionistët e mandatuar për mbrojtje të fëmijës, në rast dështimi gjatë ushtrimit të obligimit ligjor për trajtimin efikas të këtyre rasteve;
• Intensifikimin e trajnimeve mbi edukimin seksual dhe parandalimin e dhunës seksuale përmes procesit mësimor në shkolla, për të fuqizuar rolin e shkollës në parandalimin e kësaj dukurie.
Presim veprimet urgjente dhe konkrete të institucioneve për trajtimin e këtyre rasteve dhe shprehim gatishmërinë tonë si Koalicion, për të mbështetur këtë proces, për të garantuar jetë të sigurtë dhe të shëndetshme për të gjithë fëmijët.