Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, të organizuar nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF theksoi nevojën urgjente për rritjen e investimeve në shërbimet sociale, me fokus në fuqizimin e familjes dhe mbrojtjen e fëmijëve.
Familja mbetet mjedisi më i rëndësishëm për rritjen, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve. Për këtë arsye, mbështetja e familjeve përmes politikave sociale dhe shërbimeve të qëndrueshme është thelbësore për parandalimin e ndarjes së fëmijëve nga familjet e tyre dhe për garantimin e të drejtave të çdo fëmije.

Shteti i Kosovës ka vazhduar të zbatojë skema mbështetëse për familjet dhe fëmijët, si asistenca sociale për familjet në varfëri, shtesat për fëmijë, mbështetja për lehonat dhe skemat për fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilat KOMF i konsideron shumë të nevojshme për fuqizimin ekonomik dhe social të familjeve. Megjithatë, vazhdon të ketë mungesë të theksuar të programeve dhe shërbimeve profesionale që synojnë mbështetjen, fuqizimin dhe aftësimin e familjeve për t’u përballur me sfidat e ndryshme.
Fokus më i madh duhet të vihet tek familjet në rrethana të cenueshme, përfshirë familjet me fëmijë me aftësi të kufizuara, familjet në situata dhune, familjet me fëmijë të përfshirë në punë të rënda, si dhe familjet që kanë fëmijë apo anëtarë përdorues të substancave narkotike. Këto familje kanë nevojë për mbështetje, shërbime të specializuara dhe ndërhyrje të hershme për të parandaluar përkeqësimin e situatave dhe për të garantuar mirëqenien e fëmijëve.

Po ashtu, është e domosdoshme të fuqizohen shërbimet e specializuara për mbështetjen e kujdesit alternativ për fëmijët pa kujdes prindëror, shërbimet për parandalimin e braktisjes së fëmijëve, si dhe mbështetja për të rinjtë pa kujdes prindëror edhe pas moshës 18-vjeçare, në mënyrë që ata të mund të integrohen në mënyrë të pavarur dhe të sigurt në shoqëri.
KOMF theksoi se shërbimet për fuqizimin e familjes dhe mbrojtjen e fëmijëve në nivel komunal, qofshin ato të ofruara nga Qendrat për Punë Sociale apo nga organizatat joqeveritare të licencuara, po përballen vazhdimisht me mungesë të financimit të qëndrueshëm. Kjo situatë ka rrezikuar vazhdimësinë dhe cilësinë e shërbimeve, duke i vendosur shumë prej tyre në një gjendje kritike.

Për të siguruar një sistem funksional dhe të qëndrueshëm të mbrojtjes së fëmijëve, është e domosdoshme që niveli qendror të ndërhyjë urgjentisht përmes financimit të qëndrueshëm, planifikimit afatgjatë dhe krijimit të mekanizmave që garantojnë ofrimin e shërbimeve cilësore për fëmijët dhe familjet në nevojë.
KOMF riafirmon angazhimin për të kontribuar në zhvillimin e politikave dhe praktikave që vendosin fëmijën dhe familjen në qendër, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse veprime konkrete për një sistem më të fuqishëm, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm të mbrojtjes sociale.
Recent Comments