KOMF publikon Raportin e Monitorimit “Shërbimet Sociale në Kohë Pandemie”

KOMF publikon Raportin e Monitorimit “Shërbimet Sociale në Kohë Pandemie”

23 Prill 2021

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF ka mbajtur konferencën për publikimin e Raportit të Monitorimit “Shërbimet Sociale në Kohë Pandemie”.

KOMF gjatë vitit 2020 ka monitoruar procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale në shtatë komuna të Kosovës dhe ka hartuar Raportin e Monitorimit, i cili ka si qëllim kryesor pasqyrimin e gjendjes aktuale mbi shërbimet sociale.

Bazuar në të gjeturat e monitorimit, 2020 konsiderohet si viti më i rëndë për ofruesit e shërbimeve sociale, në 20 vitet e fundit. Kjo për shkak të dëmeve të shkaktuara nga pandemia Covid-19 dhe situata politike në vend. Përgjatë këtij viti, fokusi i të dy qeverive, qendrore dhe komunale, ishte parandalimi dhe menaxhimi i pandemisë, duke lënë mënjanë shërbimet sociale.

Pandemia ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve në nevojë për shërbime sociale, përderisa pjesa dërrmuese e shërbimeve të ofruara nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe organizatat jo qeveritare për grupet e cenueshme ishin të mbyllura apo tejet të kufizuara gjatë vitit 2020, për shkak të masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së Covid-19.

Ndërkohë, as dy projektligjet kryesore që pritet të ndikojnë në decentralizimin dhe avancimin e shërbimeve sociale, që janë Ligji për Shërbime Sociale dhe Familjare dhe Ligji për Financat e Pushtetit Lokal, nuk arritën të miratohen gjatë vitit 2020.

Përgjatë tërë vitit, nuk pati ndonjë progres as sa i përket decentralizimit të buxhetit për shërbime sociale. Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe komunat edhe këtë vit dështuan në krijimin e një skeme të qëndrueshme të blerjes së shërbimeve sociale. Ato vazhduan mbështetjen përmes subvencionimit të ofruesve të shërbimeve sociale, e cila nuk konsiderohet formë e qëndrueshme e financimit.

Gjatë kësaj konference, paneli i diskutimit i përbërë nga Donjetë Kelmendi, Drejtor Ekzekutiv në KOMF, Ilir Kapiti, Zëvendës Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve, Habit Hajredini, Drejtor i Zyrës për Qeverisje të Mirë, Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Sazan Ibrahimi, Drejtor Ekzekutiv në Asociacionin e Komunave të Kosovës diskutuan mbi të gjeturat dhe rekomandimet e këtij Raporti. Diskutimit ju bashkëngjitën në formë virtuale edhe shumë pjesëmarrës, përmes pyetjeve dhe komenteve rreth raportit.

Bukurezë Surdulli nga KOMF, prezantoi të gjeturat dhe rekomandimet kryesore. Duke pasur parasysh gjendjen tejet të rënduar të shërbimeve sociale dhe të qytetarëve nga pandemia Covid-19, Qeveria duhet urgjentisht të procedojë miratimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal, me qëllim sigurimin e financimit të qëndrueshëm përmes Grantit Specifik për Shërbime Sociale. Krijimi i një skeme të qëndrueshme është një hap tjetër urgjent i cili do të ndikojë në përmirësimin e gjendjes së shërbimeve sociale. Qeveria gjithashtu duhet të procedojë po ashtu miratimin e Ligjit për Shërbime Sociale dhe Familjare për ndarjen e përgjegjësive të institucioneve të nivelit qendror dhe komunal si dhe zhvillimin e një reforme të thellë në fushën e shërbimeve sociale.

No Comments

Leave a Reply