26 Shkurt 2019
Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, në partneritet dhe mbështetur nga zyra e UNICEF në Kosovë, ndau Mirënjohjet “Mik i Fëmijëve”, për kontribuesit më të mëdhenj të vitit 2018 në fushën e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.
Ndarja e Mirënjohjeve “Mik i Fëmijëve” ofron një mundësi për të njohur publikisht përpjekjet, angazhimin dhe energjinë e shumë korporatave, bizneseve, personaliteteve, individëve, që japin një kontribut të rëndësishëm në Kosovë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Në të njëjtën kohë kjo pritet të ndikojë në edukimin e shoqërisë për mbështetjen e kauzës për mbrojtjen e fëmijëve.
Fjalët e rastit u mbajtën nga Znj. Donjetë Kelmendi nga KOMF, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Z. Skender Reçica dhe Shefi i Zyrës së UNICEF në Kosovë, Z. Murat Sahin,
Të nominuarit për këto mirënjohje kanë qenë të shumtë, mirëpo në bazë të kritereve paneli vlerësues i pavarur ka përzgjedhur për të vlerësuar dhe shpërblyer me titullin “Mik i Fëmijëve” 7 (shtatë) prej tyre.
Sot kjo mirënjohje iu nda shtatë nga shumë miqve të fëmijëve në Kosovë, ndër ta: Profesor doktor Mazllum Belegu që përmes organizatës “Gift of life” dërgoi qindra fëmijë me sëmundje të zemrës për shërim në Amerikë; familjes Lutfiu nga Gjilani që për vite të tëra ka shërbyer në të mirë të fëmijëve si familje strehuese për fëmijët që kanë mbetur pa përkujdes prindëror duke iu kthyer buzëqeshjen me dashuri e përkujdesje maksimale; dy kompanive private IPKO dhe Reifeissen Bank Kosovës për donacionet që në vazhdimësi japin për fëmijët në Kosovë qoftë në fushën e arsimit apo shëndetësisë, si dhe tri vullnetarëve të SOS Fshatit të fëmijëve në Kosovë, mësueseve Afërdita Tahiri dhe Syrije Myftari që në baza krejtësisht vullnetare mbajnë mësim për lëndën e Matematikës dhe Anglishtes për fëmijët në SOS Fshatin e fëmijëve, si dhe Dea Nikqin kreatoren që punon në baza vullnetare kartolinat e vitit të ri të SOS Fshatit e që kanë shërbyer për mbledhjen e donacioneve për fëmijët pa përkujdesje prindërore.
No Comments