Në kuadër të Konferencës Vjetore të Eurochild, e mbajtur në Pafos të Qipros, Rrjeti për Fëmijët në Bullgari (Network for Children in Bulgaria – NMD) dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) prezantuan së bashku certifikatën “Kompania Mike e Fëmijëve” (Child Friendly Company), si një model inovativ për përfshirjen e sektorit privat në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve.
Ky model, i zhvilluar nga NMD dhe i regjistruar si markë tregtare evropiane, u mundëson organizatave nga vende të ndryshme të licencohen si partnerë kombëtarë dhe ta zbatojnë procesin në përputhje me kontekstin dhe nevojat e secilit shtet. Përmes këtij mekanizmi, bizneset inkurajohen të ndërmarrin politika dhe praktika konkrete që promovojnë të drejtat e fëmijëve, duke forcuar përgjegjësinë e tyre sociale.
KOMF është partneri i parë kombëtar që po zbaton instrumentin /certifikatën “Kompania Mike e Fëmijëve” në Kosovë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një kulture të re të përgjegjësisë të sektorit privat ndaj fëmijëve dhe familjeve.
Konferenca e Eurochild mblodhi qindra përfaqësues të organizatave për të drejtat e fëmijëve, institucioneve publike, ekspertëve dhe të rinjve nga e gjithë Evropa, duke shërbyer si një platformë për shkëmbimin e praktikave të mira dhe zhvillimin e politikave që avancojnë mirëqenien dhe të drejtat e fëmijëve.
Gjatë prezantimit u theksua se certifikata “Kompania Mike e Fëmijëve” ka potencialin të shndërrohet në një standard evropian të biznesit me përgjegjësi sociale, i mbështetur në parimet e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës, duke nxitur kompanitë të integrojnë të drejtat e fëmijëve në politikat, kulturën organizative dhe praktikat e tyre të përditshme.
Pjesëmarrja dhe përfaqësimi i Kosovës në këtë konferencë u mbështet nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).
Recent Comments