1 Qershor 2020
Në kuadër të aktiviteteve për shënimin e 1 Qershorit, Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, ka mbajtur sot një konferencë për media për të publikuar Raportin e Monitorimit “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale” mbi procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale në Kosovë.
Hapja e konferencës u bë nga Donjeta Kelmendi nga KOMF, e cila uroi të gjithë fëmijët për një jetë dinjitoze dhe garantim të plotë të të drejtave të tyre. Kelmendi theksoi se edhe pse mbrojtja e të drejtave të fëmijëve është e garantuar me ligj për të gjithë fëmijët dhe qytetarët në nevojë, jo të gjithë kanë qasje dhe përfitojnë nga shërbimet.
Pas fjalës hyrëse, Bukurezë Surdulli nga KOMF prezantoi të gjeturat dhe rekomandimet e Raportit të Monitorimit mbi Procesin e Decentralizimit të Shërbimeve Sociale për vitin 2019, i cili u realizua në shtatë komuna të Republikës së Kosovës.
Raporti i monitorimit të decentralizimit të shërbimeve sociale vërteton se procesi i decentralizimit të shërbimeve sociale nuk është përmbyllur edhe pas 10 vitesh. Arsyeja kryesore e mos zbatimit të këtij procesi është mungesa e vullnetit politik si nga ana e nivelit qendror, ashtu edhe nga ana e nivelit komunal. Faktorë të tjerë që kanë penguar zbatimin e plotë të decentralizimit janë mungesa e financimit të qëndrueshëm të shërbimeve sociale, mungesa e një skeme të kontraktimit për blerjen e shërbimeve sociale nga sektori joqeveritar, kapacitetet e kufizuara të komunave për menaxhim të shërbimeve sociale, llogaridhënia e ulët, paqartësitë në ndarjen e përgjegjësive mes nivelit qendror dhe komunal, paqartësitë në ndarjen e funksioneve të monitorimit dhe inspektimit të shërbimeve sociale etj.
Rekomandimet kryesore të dala nga ky raport janë:
Pas prezantimit të të gjeturave kryesore të Raportit të Monitorimit, KOMF lansoi fushatën me karakter informues dhe vetëdijesues “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale”, e cila ka për qëllim që të informojë qytetarët për decentralizimin e shërbimeve sociale në Kosovë dhe të promovojë implementimin e plotë të këtij procesi.
Ky aktivitet u mundësua në kuadër të projektit “Aksioni i Përbashkët për Decentralizim”, projekt i financuar nga Bashkimi Europian dhe i menaxhuar nga Zyra e BE-së në Kosovë, i cili implementohet nga Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF në partneritet me Organizatën për Fëmijët pa Kujdes Prindëror – OFAP, SOS Fshatrat e Fëmijëve Kosovë dhe KMOP.
No Comments