Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF mbajti takimin e radhës të Asamblesë së Përgjithshme, ku u mblodhën organizatat anëtare për të diskutuar zhvillimet kryesore të koalicionit dhe për të përcaktuar drejtimet strategjike të punës për periudhën në vijim.
Gjatë takimit u shqyrtuan dhe u miratuan raportet vjetore të punës dhe financiare, duke reflektuar mbi arritjet, sfidat dhe ndikimin e përbashkët të koalicionit në avancimin e të drejtave dhe mbrojtjes së fëmijëve në Kosovë.
Anëtarët diskutuan prioritetet strategjike për periudhën e ardhshme, me fokus në fuqizimin e avokimit, zhvillimin e shërbimeve për fëmijët, rritjen e bashkëpunimit ndërmjet organizatave anëtare, si dhe diversifikimin e burimeve të financimit për të siguruar qëndrueshmëri dhe ndikim afatgjatë.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua edhe mundësive për zhvillimin e kapaciteteve të organizatave anëtare përmes Programit për Ngritje të Kapaciteteve të KOMF, i cili synon të forcojë ekspertizën, cilësinë e punës dhe qëndrueshmërinë institucionale të organizatave.
Po ashtu, Asambleja shqyrtoi kërkesat për anëtarësim të organizatave të reja, duke riafirmuar përkushtimin e KOMF për zgjerimin e rrjetit dhe forcimin e bashkëpunimit në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve.
Mbajtja e këtij takimi u mbështet nga organizata anëtare Terre des hommes – Kosovo.
Recent Comments