Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në partneritet me Terre des hommes Kosovë, në kuadër të Programit për Ngritje të Kapaciteteve, organizoi një trajnim treditor për trajnerë për organizatat anëtare të KOMF, me fokus në modulin “Menaxhimi i Ciklit të Projektit”.
Trajnimi u udhëhoq nga Marigona Shabiu dhe kishte për qëllim fuqizimin e njohurive dhe aftësive të pjesëmarrësve në hartimin, zhvillimin, zbatimin dhe menaxhimin e projekteve në mënyrë më efektive dhe të qëndrueshme.
Gjatë tri ditëve të trajnimit u trajtuan temat kryesore të menaxhimit të ciklit të projektit, duke përfshirë:
• Identifikimin dhe analizën e nevojave;
• Formulimin e projektit dhe përdorimin e kornizës logjike (logframe);
• Planifikimin e burimeve dhe menaxhimin e rreziqeve;
• Monitorimin dhe vlerësimin (M&E);
• Aplikimin për grante dhe raportimin drejt donatorëve.
Përmes këtij trajnimi, KOMF synon të rrisë kapacitetet profesionale të organizatave anëtare në planifikimin strategjik, menaxhimin efektiv të projekteve dhe sigurimin e rezultateve më të qëndrueshme për komunitetet dhe grupet që ato përfaqësojnë.
Trajnimi gjithashtu krijoi mundësi për shkëmbim të përvojave, diskutim të praktikave të mira dhe mësim të ndërsjellë ndërmjet organizatave pjesëmarrëse, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e kapaciteteve të sektorit të shoqërisë civile.
Recent Comments