Shkolla Mileniumi i Tretë, Drejtoria e Mirëqenies Sociale e Kryeqytetit Prishtina dhe Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF organizuan aktivitetin “Shesim të Dhurojmë”, me qëllim të promovimit të fuqisë së angazhimit të fëmijëve dhe të nxitjes së kulturës së solidaritetit, vullnetarizmit dhe përgjegjësisë sociale.
Një ngjarje plot emocion, solidaritet dhe kreativitet, ku angazhimi i fëmijëve u shndërrua në mbështetje konkrete për bashkëmoshatarët e tyre në nevojë. Përmes pjesëmarrjes së tyre aktive, nxënësit dëshmuan se empatia, humanizmi dhe dëshira për të ndihmuar nuk njohin moshë dhe se çdo veprim, sado i vogël, mund të sjellë ndryshim në jetën e një fëmije.

Gjatë aktivitetit, nxënësit mblodhën fonde për fëmijët në nevojë përmes shitjes së ushqimeve, pikturave, byzylykëve të dorës, çantave dhe punimeve të tjera të realizuara nga vetë ata. Përtej kontributit financiar, aktiviteti shërbeu edhe si një mundësi për të rritur vetëdijen mbi rëndësinë e mbështetjes së fëmijëve në nevojë dhe për të promovuar vlerat e bashkëpunimit, kujdesit dhe përfshirjes.
Ngjarja u pasurua edhe me një program artistik e muzikor të përgatitur nga fëmijët dhe të rinjtë, ku performuan Zjarr Bujari, nxënësit e shkollës Mileniumi i Tretë, Lekë Gjurgjiali, si dhe “Ylli dhe Elioni” nga organizata Zë, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë dhe frymëzuese për të gjithë pjesëmarrësit.

Aktivitete të tilla dëshmojnë se kur fëmijëve u krijohen hapësira për të vepruar dhe kontribuar, ata bëhen promotorë të vlerave të solidaritetit, mirëkuptimit dhe përkujdesjes për njëri-tjetrin. Përmes iniciativave të tilla, ndërtohet një komunitet më i ndjeshëm, më gjithëpërfshirës dhe më i përkushtuar ndaj mirëqenies së çdo fëmije.
Recent Comments