“Drejtësi që sheh fëmijën” – Fushatë për një sistem drejtësie që vendos interesin më të mirë të fëmijës në qendër

“Drejtësi që sheh fëmijën” – Fushatë për një sistem drejtësie që vendos interesin më të mirë të fëmijës në qendër

Në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, në partneritet me Terre des hommes në Kosovë, lansoi fushatën “Drejtësi që sheh fëmijën”, një iniciativë që synon të promovojë një sistem të drejtësisë miqësor ndaj fëmijëve dhe të forcojë qasjen e bazuar në të drejtat e fëmijës në trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin.

Në kuadër të hapjes së fushatës, në hapësirat e Pallatit të Drejtësisë u vendos një instalacion simbolik dhe domethënës, i cili përcolli mesazhin për rëndësinë e parandalimit të përfshirjes së fëmijëve në konflikt me ligjin, si dhe për nevojën e trajtimit të tyre përmes rehabilitimit, mbështetjes dhe riintegrimit në shoqëri. Instalacioni shërbeu si një kujtesë se çdo fëmijë meriton një mundësi të dytë dhe se sistemi i drejtësisë duhet të jetë një mekanizëm mbështetës për zhvillimin e tyre, e jo vetëm ndëshkues.

Në ceremoninë e lansimit, fjalë rasti mbajtën Donjeta Kelmendi nga KOMF, Fjolla Hoxha nga Terre des hommes, Arjeta Sadiku, zëvendëskryesuese e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Agron Qalaj, Ushtrues i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, si dhe Naim Qelaj, Avokat i Popullit. Folësit theksuan rëndësinë e një sistemi të drejtësisë që respekton të drejtat e fëmijëve, promovon rehabilitimin dhe garanton që çdo vendim të udhëhiqet nga interesi më i mirë i fëmijës.

Fushata synon të rrisë ndërgjegjësimin e institucioneve, profesionistëve dhe publikut për rëndësinë e parandalimit të përfshirjes së të miturve në konflikt me ligjin, përdorimit më efektiv të masave të diversitetit dhe zbatimit të standardeve ndërkombëtare për drejtësinë miqësore ndaj fëmijëve. Përmes kësaj iniciative synohet që çdo fëmijë në konflikt me ligjin të trajtohet me dinjitet, respekt dhe humanizëm, duke marrë parasysh moshën, zhvillimin dhe nevojat e tij individuale.

Një fokus i veçantë i fushatës është promovimi i qasjeve alternative ndaj ndëshkimit, duke nxitur përdorimin e masave që favorizojnë rehabilitimin, edukimin dhe riintegrimin e të miturve në familje dhe komunitet. Kjo qasje kontribuon jo vetëm në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, por edhe në uljen e përsëritjes së veprave penale dhe krijimin e mundësive për një të ardhme më të sigurt për ta.

Përmes aktiviteteve të planifikuara, fushata do të promovojë bashkëpunimin ndërinstitucional, shkëmbimin e praktikave të mira dhe forcimin e kapaciteteve profesionale të të gjithë akterëve që punojnë me fëmijët në konflikt me ligjin. Në të njëjtën kohë, ajo synon të nxisë një ndryshim të perceptimit shoqëror, duke e parë fëmijën jo përmes gabimit që ka bërë, por përmes potencialit që ai ka për t’u rehabilituar dhe për t’u integruar me sukses në shoqëri.

“Drejtësi që sheh fëmijën” është një thirrje për një sistem drejtësie që vendos fëmijën në qendër të çdo vendimmarrjeje, garanton mbrojtjen e të drejtave të tij dhe krijon mundësi reale për zhvillim, rehabilitim dhe një të ardhme më të mirë.